Kryesia e PD fton Komisionin e Rithemelimit në bisedime
Alizoti: Të kthehet Berisha dhe të shfuqizohen përjashtimet
48 orë pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, kryesia e Partisë Demokratike pas më shumë se tre orë diskutime i kërkoi Komisionit të Rithemelimit të anuloje kuvendin e thirrur në 30 Prill dhe të ndalë procesin zgjedhor të nisur në bazë për drejtuesit lokal.
Kryetari i komanduar, Enkelejd Alibeaj duke mos hequr dorë nga kushti për përjashtimin e Sali Berishës tha se i duhet dhënë fund gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes për të nisur zyrtarisht bisedimet me deputetët e Komisionit të Rithemelimit, ku hapi i parë është ngritja e një komisioni të përbashkët.
Alibeaj: Është një hap i parë si shenjë drejt negociatës për të shkuar drejt bashkimit, një grup pune, i përbërë nga të gjitha instancat e partisë. Presim sinjale nga grupi tjetër.
Por ndryshe nga Alibeaj, deputeti Tomorr Alizoti si hap të parë për bashkimin e demokratëve sheh shfuqizimin e vendimeve të marra për përjshtimin e deputetëve nga Partia Demokratike, përfshirë edhe Sali Berishën.
Alizoti: Akti i parë, shfuqizimi i akteve të përjashtimit të të gjithë demokratëve dhe ç’blindimi i PD. Këto janë disa simbolike që afrojnë demokratë dhe të unifikohemi si parti, ne nuk shmangim dot asnjë kandidat nëpërmjet deklaratave. Duhet një garë e brendshme në PD.
Kundër gjuhës se ultimatumeve u shpreh edhe deputeti Ervin Salianji që zgjidhjen e krizës mes demokratëve e sheh tek ngritja e një komisioni të përbashkët mes deputetëve nga të dy kampet.
Salianji: Nuk duhet të vendosim ultimatume. Është moment për të reflektuar.
Por edhe kjo mbledhje e kryesisë u shoqërua me jo pak debate, ku një ndër kërkesat e deputeteve ishte edhe heqja e dyerve të blinduara të vendosura në Partinë Demokratike nga kryetari i dorëhequr Lulzim Basha.