Veliaj i ka gati 3 emrat për t’i propozuar për President
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj thotë se i ka gati 3 emrat të cilat do t’ia propozojë Kryeministrit Edi Rama për Presidentin e ri të Republikës.
Në një intervistë me gazetaren e Klan News, Klesiana Omeri, Veliaj u shpreh se Presidenti i ri duhet të ketë veçoritë e kundërta të kreut aktual të shtetit.
Sipas tij, 3 propozimet që ai ka do t’ia paraqesë Kryeministrit Edi Rama gjatë kësaj jave.
Pyetje: Keni dhe një sfidë tjetër para, zgjedhjen e Presidentit të ri, e keni një emër potencial të mundshëm dhe kur do t’i hapni zarfat e deputetëve me propozimet që kanë bërë?
Kryebashkiaku Erion Veliaj: Çdo deputet dhe çdo anëtar i kryesisë i është kërkuar të japë 3 rekomandime për Presidentin e Republikës ose Presidenten e Republikës, se unë besoj që ky vend ka zonja të mrekullueshme që mund ta bënin këtë punë më mirë. Dhe nëse më pyet se kë kam unë ndër mend, unë kam në mend dikë që nuk i përçan njerëzit siç kemi parë këto kohë që njerëzit përçaheshin jo po populli i Marsit jo po populli i Korrikut, që nuk na përçan me komunitetin ndërkombëtar, që nuk fantazon për drona dhe për Male me Gropa, që mundësisht është esëll shumicën e kohës dhe që merr disa vendime të rëndësishme që ka 5 vite që nuk merren. Ju e dini që Republika e Shqipërisë në disa vende nuk ka fare ambasadorë, në Katar që është një nga kontribuuesit kryesorë. Në disa vende ambasadorët kanë nga 7 vjet se Presidenti nuk i ndërron. Të imagjinosh që në këtë gjendje mendore është edhe Komandanti i Forcave të Armatosura. Imagjino të na ndodhte ne ajo që ndodhi në Ukrainë edhe komandantin e Forcave të Armatosura e kemi në drejtim të paditur. Kështu që na duhet një njeri serioz, një njeri që i bashkon njerëzit, një njeri që merr vendime, një lider i fortë që i jep dum situatave, kështu që trakisht çdo gjë e kundërt me këtë që kemi sot.
Pyetje: Ju e keni bërë një propozim?
Kryebashkiaku Erion Veliaj: I kam 3 ide të mira.
Pyetje: Ja keni thënë Kryeministrit?
Kryebashkiaku Erion Veliaj: Besoj këtë javë.
Pyetje: Ju ka garantuar që do t’i marrë në konsideratë?
Kryebashkiaku Erion Veliaj: Ka garantuar të gjithë që do t’i marri në konsideratë. Secili prej nesh ka mundësinë që të propozojë pastaj duhet të ketë një komision, që në fakt e kemi, Taulanti, Damiani dhe Elisa që do bëjnë një listë më të shkurtër.