Gomonia godet për vdekje fëmijën në plazhin e Potamit në Himarë! Shoqërohet drejtuesi, ish-shef policie
Një fëmijë rreth 5-vjeç ka humbur jetën pasi është goditur nga një gomone mesditën e kësaj të marte në plazhin e Potamit në Himarë.
E mitura Joanda Avdia ishte duke u larë në det ku është përplasur fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në Plazhin e Potamit, një plazh i mbi populluar. Fëmija, me origjinë nga Tropoja jetonte jashtë shtetit me familjen e saj në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime.
Drejtuesi i gomones, është shefi i policimit në komunitet në Elbasan, i identifikuar si Arjan Tase dhe është shoqëruar në polici ku po kryhen procedurat për arrestimin e tij. Ai ka qenë Shefi i Komisariatit të Himarës, por u arrestua pas një operacioni antidrogë, megjithatë, u rikthye sërish në Polici.
Ai po drejtonte mjetin lundrues tip Gomone, me dy motorë 2 x 300 hp rreth 7 m me emrin “Nëna 154” i cili ka qenë edhe me dy persona të tjerë në bord. Në vendin ku ka ndodhur ngjarja nuk ka patur korridor të miratuar për hyrjen dhe daljen e mjeteve lundruese.
“Sot, rreth orës 14:00, në plazhin e Potamit, shtetasi A. T., duke drejtuar një mjet lundrues , dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit lundrues dhe për pasojë mjeti lundrues ka goditur një fëmijë rreth 5 vjeç, i cili për shkak të dëmtimeve ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Drejtuesi i mjetit lundrues është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Himarë dhe po kryhen procedurat për arrestimin e tij. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia./Shqiptarja.com