Ukraina rifillon sulmet në urën e kontrolluar nga forcat ruse
Forcat e armatosura ukrainase kanë sulmuar prapë një urë strategjike që kalon lumin Dniepër në territorin e kontrolluar nga Rusia, në rajonin juglindor Herson të Ukrainës, e cila u dëmtua nga raketat HIMARS të lëshuara në fund të korrikut.
Kirill Stremousov, nënkryetari i administratës ushtarako-civile të rajonit Herson, i emëruar nga Moska, u tha gazetarëve më 8 gusht se raketat ukrainase dëmtuan përsëri urën Antonivskiy gjatë natës, duke shkatërruar pajisjet që përdoreshin për riparimin e urës.
Ai tha se rihapja e urës do të shtyhet për një periudhë të pacaktuar.
Ura ka qenë e mbyllur që nga 26-27 korriku.
Ajo u shënjestrua për herë të parë nga forcat ukrainase më 19-20 korrik me raketat HIMARS, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhuruar Ukrainës.
Ura Antonivskiy është ura e vetme në Herson që lidh brigjet e lumit Dniepër. Rreth 1.5 kilometra e gjatë dhe 25 metra e gjerë, ura është e vetmja rrugë për të furnizuar forcat pushtuese ruse në Herson.