Ndahet nga jeta ylli i “Grease”, Olivia Newton-John!
Këngëtarja dhe aktorja Olivia Newton-John ka ndërruar jetë të hënën në moshën 73-vjeçare. Lajmin për vdekjen e aktores australiane të lindur në Angli e ka konfirmuar bashkëshorti i saj, John Easterling. Në njoftimin në llogarinë e saj në Instagram nga bashkëshorti, shkruhej:
Dama Olivia Newton-John ndërroi jetë paqësisht në fermën e saj në Kaliforninë Jugore këtë mëngjes, e rrethuar nga familja dhe miqtë. Ne kërkojmë që të gjithë ta respektojnë privatësinë e familjes gjatë kësaj kohe shumë të vështirë. Olivia ka qenë një simbol i triumfeve dhe shpresës për më shumë se 30 vjet duke ndarë rrugëtimin e saj me kancerin e gjirit. Frymëzimi i saj shërues dhe përvoja me mjekësinë bimore vazhdon me ‘Fondacionin Olivia Newton-John’, kushtuar kërkimit të mjekësisë bimore dhe kancerit. Në vend të luleve, familja kërkon që çdo donacion në kujtim të saj t’i bëhet @onjfoundation. Olivia ka lënë pas bashkëshortin e saj John Easterling; vajza Chloe Lattanzi; motra Sarah Newton-John; vëllai Toby Newton-John; mbesat dhe nipërit Tottie, Fiona dhe Brett Goldsmith; Emerson, Charlie, Zac, Jeremy, Randall dhe Pierz Newton-John; Jude Newton-Stock, Layla Lee; Kira dhe Tasha Edelstein; dhe Brin dhe Valerie Hall.
Olivia bëri të ditur në shtator të vitit 2018 se ishte duke u trajtuar nga kanceri që lokalizohej në bazën e shtyllës së saj kurrizore. Kjo ishte hera e tretë që aktorja diagnostikohej me kancer, pas diagnostikimit me kancer të gjirit në fillim të viteve ’90 dhe në vitin 2017. Krahas muzikës, ajo u bë e njohur me rolin e saj në filmin muzikal “Grease”, ku luajti krah John Travolta-s. Lidhur me largimin e saj nga jeta, ka reaguar dhe ky i fundit me një postim në Istagram, ku shkruan:
E dashura ime Olivia, ti e bëre jetën tonë shumë më të mirë. Ndikimi yt ishte i pabesueshëm. Te dua shumë. Do të të shohim sërish në fund të rrugës dhe do të jemi përsëri të gjithë bashkë. I yti që në momentin e parë që të pashë dhe përgjithmonë! Danny yt, John-i yt!