Skandali Cum-Ex, kontrolle postës elektronike të kancelarit gjerman Scholz kur ishte kryebashkiak!
Hetuesit gjermanë do të kontrollojnë emaile të kancelarit Olaf Scholz, nga koha kur drejtonte qeverinë e landit të Hamburgut. Gazeta “Hamburger Abendblatt” raporton se kjo rezulton nga dokumentet që ka në zotërim komisioni hetimor i Hamburgut, në lidhje me skandalin financiar Cum-Ex.
Që më 30 mars, Gjykata e Qarkut Köln ka lëshuar një urdhër hetimor për postën elektronike: [email protected], adresa zyrtare e Olaf Scholzit në kohën kur ishte kryebashkiak i Hamburgut.
Sipas AFP-së, me vendim gjykate do të kontrollohen emaile, shënime kalendarike dhe bashkangjitje të postës elektronike nga 1 janari 2015, ndërsa Scholz ka qenë deri në vitin 2018 kryebashkiak i Hamburgut.
Në lidhje me këto hetime kërkohet të zbardhet, nëse dhe si ka ndikuar politika në vendimin e marrë në nëntor 2016, për të hequr dorë nga një kërkesë financiare tatimore në vlerë 47 milion euro kundër bankës Warburg, në kuadër të Cum-Ex. Në fokus, edhe një takim i Scholzit me kreun e atëhershëm të bankës Warburg, Christian Olearius.
Kontrolli i emaileve të Scholzit bëhet në kuadër të hetimeve kundër deputetit të SPD-së, Johannes Kahrs e të tjerëve që dyshohen për favorizim e mbështetje të evazionit fiskal. Kahrsit, iu gjetën 200 mijë euro në bankë. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit u shpreh se “nuk ka dijeni për këtë”.
Nuk ka asgjë për të fshehur!
Çfarë është skandali financiar Cum-Ex?
Me Cum-Ex lidhet zhvendosja e aksioneve brenda një dite e dividendëve, për të mundësuar rimbursimin e tatimit mbi kapitalin, shumë që nuk iu pagua shtetit. Përmes këtyre rimbursimeve financiare, Gjermania humbi miliarda euro. Skandali u zbulua në vitin 2017. Operacionet financiare në lidhje me Cum-Ex, Gjykata Federale e Lartë vendosi t’i quajë “evazion fiskal të dënueshëm”. Ndërkohë, në Gjermani janë ngritur një sërë padish kundër punonjësve të caktuar në banka.