Republikanët në krah të Trumpit, dënojnë bastisjen e FBI-së në shtëpinë e tij në Florida!

vovalbania August 10, 2022 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Republikanët në krah të Trumpit, dënojnë bastisjen e FBI-së në shtëpinë e tij në Florida!

Politikanë republikanë të ish-presidentit amerikan Donald Trump i dolën në mbrojtje, duke kërkuar shpjegime për kontrollin e FBI-së në shtëpinë e tij Mar-a-Lago në Florida. Agjentët kërkuan dokumente të klasifikuara që Trump i mori nga Shtëpia e Bardhë, në fund të mandatit presidencial. Kevin McCarthy u zotua të hapë një hetim nëse në fillim të vitit të ardhshëm, republikanët marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, ndërsa sondazhet sugjerojnë se kjo është mundësi e fortë politike.

Kam parë mjaft. Departamenti i Drejtësisë ka arritur në një gjendje të patolerueshme politizimi. Pasi republikanët të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, ne do të bëjmë një hetim të menjëhershëm të këtij departamenti. Do të ndjekim faktet e nuk do të lëmë gur pa lëvizur.

McCarthy paralajmëroi Prokurorin e Përgjithshëm, Merrick Garland, kreun e Departamentit të Drejtësisë:

Ruani dokumentet dhe hapeni kalendarin tuaj, për të dëshmuar në një hetim mbi këtë çështje.

Mike Pence, i cili shërbeu në postin e zv.presidentit në kohën kur Donald Trump ishte president, tha:

Unë ndaj shqetësimin e thellë të miliona amerikanëve për kontrollin e paprecedentë të rezidencës personale të presidentit Trump. Asnjë ish-president i Shteteve të Bashkuara nuk i është nënshtruar ndonjëherë një bastisjeje në rezidencën personale, në historinë e Amerikës. Kontrolli minon besimin e publikut në sistemin tonë të drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm Garland duhet t’i japë llogari të plotë popullit amerikan se përse u ndërmor ky veprim. Ai duhet ta bëjë këtë menjëherë!

Të tjerë ligjvënës republikanë e quajtën kontrollin, “shpërdorim të pushtetit”, ndonëse ishte i autorizuar nga gjykata e ka të ngjarë të jetë miratuar në nivelet më të larta të Departamentit të Drejtësisë. Ende nuk dihet se çfarë roli ka luajtur prokurori Garland në këtë çështje.

Ndërkohë, demokratët nuk bënë shumë komente mbi kontrollin e shtëpisë së Trumpit dhe Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Joe Biden nuk kishte dijeni paraprake për operacionin e FBI-së, i cili zgjati disa orë. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi deklaroi:

Ne besojmë në sundimin e ligjit. Asnjë person nuk është mbi ligjin, madje as presidenti i Shteteve të Bashkuara, as një ish-president i Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë, ish-presidenti Trump e shfrytëzoi kontrollin e shtëpisë si një shans për të mbledhur më shumë fonde për një kandidim të mundshëm presidencial në zgjedhjet e vitit 2024.

MAR-A-LAGO u bastis. Eshtë koha që ÇDO PATRIOT të ngrihet kundër Gjuetisë së pakontrolluar të Shtrigave nga e Majta dhe kundër persekutimit politik të Presidentit Trump!

Mbështetësve iu kërkoi të kontribuonin me shuma nga 45 në 5 mijë dollarë. Ish-presidenti Trump mund të zbulojë përmbajtjen e urdhrit për kontrollin e pronës së tij, por ende nuk e ka bërë këtë. 15 kuti me materiale të ndryshme, disa me dokumente sekrete, ia dorëzoi Administratës Kombëtare të Arkivave në janar, një vit pas largimit nga detyra. Por, FBI-ja mori urdhrin e kontrollit për të kërkuar më shumë dokumente dhe gjeti më shumë materiale, pasi kontrolloi zyrën e Trumpit e hapi kasafortën e tij.

Akti i Regjistrit Presidencial, një ligj i vitit 1978 thotë se “të gjitha të dhënat presidenciale janë në pronësi të publikut dhe duhet të transferohen automatikisht nën kujdestarinë e Adminstratës Kombëtare të Arkivave menjëherë pas largimit të Presidenti nga detyra”. Donald Trump mund të përballet me akuza penale për mosdorëzimin e menjëhershëm të dokumenteve sekrete pas largimit nga detyra, megjithëse një veprim i tillë do të ishte gjë e rrallë.

Gjithashtu, përballet me një hetim për rolin e tij në nxitjen sulmit të 6 janarit 2021 në Kapitol, kur ligjvënësit ishin mbledhur për të certifikuar fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Përveç kësaj, Donald Trump po përballet me një hetim në Xhorxhia, ku i kërkoi një zyrtari të zgjedhjeve që t’i “gjente” votat e mjaftueshme, mbi 11 mijë që i duheshin për të përmbysur fitoren e Bidenit në këtë shtet jugor.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65690 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE