U zhduk teksa peshkonte në Seman, gjendet i pajetë adoleshenti
Gjendet trupi i pajetë i 14-vjeçarit të zhdukur mbrëmë në lumin Seman, teksa peshkonte në breg. Polumbarët kanë gjetur fillimisht vetëm rrobat e të miturit së bashku me kallamat e peshkimit. Adoleshenti është kërkuar gjatë gjithë natës edhe nga banorë të zonës përgjatë rrjedhës së lumit, por fatkqesisht është gjetur pak më parë i pajetë. Para 10 vitesh viktimës i ishte mbytur edhe vëllai.
Fqinjët tregojnë se kjo nuk është e para fatkeqësi për familjen, pasi 10 vite më parë i është mbytur edhe një tjetër djalë në të njëjtin vend.
“Janë shumë hallexhinj, në punë dhe hall të tyre. Babai i ka lënë ka 4 vjet. Edhe një vëlla i është mbytur para 10 vitesh këtu. Këta me ndihmë ekonomike rrojnë, tani ia kanë ndërprerë fare. Kanaçe mblidhnin. Shumë çun i mirë ishte djali. E shikoja që gjuante këtu peshk. Nuk e kanë gjetur ende, do ta ketë marrë rryma.”
“Familje e mirë dhe punëtore, fukarenj. Ai çuni punoi disa ditë te unë, ishte djalë i mirë, i zgjuar dhe punëtor. Ka qepë duke kapur peshk. Do ketë rënë ose mund të jetë hedhur për t’u larë, ai e di. Duhet që shteti të vejë dorë në këtë familje se janë më të varfrit. Nuk ngopin dot barkun me bukë. Kjo familja është më e varfra në zonë. Merrnin më parë ndihmë nga shteti, por tani nuk marrin.”
Njoftimi i policisë:
Fier
Në vijim të informacionit paraprak të ditës së djeshme, për një 14-vjeçar që ishte futur për tu larë në lumin Seman, ju bëjmë me dije se pas kërkimeve nga shërbimet e Stacionit të Policisë Roskovec dhe polumbarët e RENEA-s, sot rreth orës 10:40, u bë e mundur gjetja e trupit të fëmijës së mbytur, shtetasit E. S., 14 vjeç.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.