Dita e 170-të e luftës në Ukrainë, Zaporizhja shqetësim i vazhdueshëm!

vovalbania August 12, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Dita e 170-të e luftës në Ukrainë, Zaporizhja shqetësim i vazhdueshëm!

Lufta në Ukrainë është sot në ditën e saj të 170-të, që pas agresionit rus të 24 shkurtit. Gjendja në centralin bërthamor të Zaporizhjas, më i madhi në Europë shqetëson botën. Organizata e Kombeve të Bashkuara përsërit apelin për t’i dhënë menjëherë fund luftimeve e çdo veprimtarie ushtarake në afërsi të impiantit. Por, thirrjet po bien në vesh të shurdhër. Sulmet në zonë, nuk ndalen e po ashtu, vijon shkëmbimi i akuzave.

Për Moskën, rëndon mbi presidentët e Amerikës e të Ukrainës, Biden dhe Zelensky, përgjegjësia lidhur me pasojat e mundshme tragjike të sulmeve në centralin bërthamor ukrainas të Zaporizhjas. Në një postim në Telegram, Vyacheslav Volodin kreu i Dumës, Dhomës së Ulët të Parlamentit rus, shkruan:

Veprimet e Uashingtonit e të regjimit të Kievit rrezikojnë një katastrofë bërthamore.

Në një tjetër deklaratë, po nga Rusia, theksohet:

Aktet kriminale të Ukrainës kundër centralit bërthamor të Zaporizhjas e shtyjnë botën drejt një katastrofe nukleare, të krahasueshme me të Çernobilit.

Rusët shprehen të gatshëm të punojnë për të lehtësuar e mundësuar një vizitë në central të inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, AIEA. Qëndrimin e shprehu Mikhail Ulyanov, përfaqësues i Rusisë pranë organizatës në Vjenë.

Por, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky nuk ka dyshime se “bota duhet të reagojë për të dëbuar rusët nga Zaporizhja”.

Vetëm tërheqja e plotë e rusëve do të garantonte sigurinë bërthamore në të gjithë Europën.

Në një tjetër zhvillim, zv.zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Vedant Padel deklaroi se autoritetet në Amerikë nuk duan “të dëmtojnë” popullin rus dhe “nuk ka gjasa që qeveria të ndalojë vizat për shtetasit e Rusisë”. Për mediat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u shpreh:

Sa i përket mundësisë për ndonjë ndalim vize, ishim shumë të qartë për faktin se nuk duam që veprimet tona të dëmtojnë apo të kenë ndikimin domethënës mbi popullin rus.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65784 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE