Kontrollet në shtëpinë në Florida, Trump nuk e kundërshton publikimin e urdhrit!

vovalbania August 12, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Kontrollet në shtëpinë në Florida, Trump nuk e kundërshton publikimin e urdhrit!

Donald Trump bën thirrje të publikohet “menjëherë” urdhri i FBI-së për bastisjet në shtëpinë e tij në Florida. Apeli i ish-presidentit amerikan erdhi disa orë pasi Departamenti i Drejtësisë i kërkoi një gjykate, të publikojë urdhrin, nisur nga “interesi publik mbi çështjen”. Në një mesazh të postuar në platformën e tij sociale, Truth Social, Trump shkruan:

Jo vetëm që nuk e kundërshtoj publikimin e dokumenteve, por do të bëj edhe një hap më tej, duke i inkurajuar t’i publikojnë menjëherë këto dokumente. Publikoni dokumentet menjëherë! Bastisjet e Byrosë Federale të Hetimeve në Mar-a Lago ishin të pajustifikueshme e të panevojshme.

Një ditë më parë, Departamenti i Drejtësisë bëri kërkesë për publikimin e dokumenteve, që zakonisht mbeten konfidenciale kur një hetim është në zhvillim. Departamenti tha se publiku duhet të dijë se përse FBI-ja bastisi shtëpinë e ish-presidentit, më 8 gusht.

Interesi i publikut është i madh për të kuptuar atë që ndodhi.

Tani i mbetet gjyqtarit të vendosë nëse do të publikojë urdhrin e bastisjeve. Por, nëse publikohen dokumentet, mund të nxjerrin informacione lidhur me dyshimet që ka FBI-ja për trajtimin e dokumenteve të ndjeshme qeveritare nga ana e Trump-it, i cili po përgatitet të garojë sërish për postin e presidentit.

Ende nuk dihet sa shumë informacione mund të ketë në dokumente nëse ato bëhen publike. Kontrollet e fillimjavës ishin të parat në historinë amerikane, në shtëpinë e një ish-presidenti, si pjesë e një hetimi penal. Trump dhe të tjerë republikanë, kritikuan këtë vendim të FBI-së, duke e quajtur “të motivuar politikisht”.

Dje në një konferencë për media, Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, mbrojti agjentët e FBI-së e zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë.

Nuk do të rri i heshtur kur integriteti i tyre sulmohet padrejtësisht. Personalisht, miratova urdhrin për bastisjet dhe marrja e këtij vendimi nuk ishte e lehtë.

Agjentët e FBI-së në Mar-a Lago kërkuan që kamerat e sigurisë të fikeshin, por ekipi i Trump-it refuzoi një gjë të tillë. Një ditë më parë, ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se “nuk kishte nevojë për bastisje” pasi avokatët e tij po bashkëpunonin plotësisht.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65764 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE