Presidenti ukrainas Zelensky thirrje BE-së të ndalë vizat për rusët!
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ripërsërit thirrjen për anëtarët e Bashkimit Europian, që të ndalojnë vizat për qytetarët rusë. Në video-mesazhin e radhës, Zelensky vuri në dukje se “është e nevojshme që Blloku të mos bëhet “supermarket” i hapur për këdo që do të hyjë në BE”.
Duhet të ketë garanci që vrasësit rusë ose bashkëpunëtorët e terrorit shtetëror të mos mund të përdorin viza Shengen.
Viza Shengen u jep njerëzve mundësi të udhëtojnë në Zonën Shengen, e cila përfshin 22 nga 27 shtetet anëtare të Unionit. Disa vende të BE-së, përfshirë tre shtetet baltike e Republikën Çeke, kanë lëvizur për të kufizuar udhëtimin dhe vizat e punës për rusët. Ministri i Jashtëm çek, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së, mbështet thirrjet për një ndalim të tillë në të gjithë Bllokun. Por deri tani, përpjekja ka fituar pak mbështetje mes anëtarëve të tjerë të BE-së.
Ndërkohë, një diplomat i Moskës paralajmëroi se çdo veprim i Shteteve të Bashkuara për ta shpallur Rusinë “shtet sponsor të terrorizmit” mund të rezultojë në ndërprerje të plotë të marrëdhënieve diplomatike.
Ministria e Jashtme ruse i tha agjencisë shtetërore të lajmeve TASS se marrëdhëniet diplomatike me Uashingtonin do të dëmtoheshin keq dhe madje mund të ndërpriteshin nëse Rusia shpallet “shtet sponsorizues i terrorizmit” nga Senati Amerikan.
Kievi e Moska vazhdojnë të shkëmbejnë akuza për rreziqet e luftimeve pranë centralit bërthamor të Zaporizhjas, për të cilin Kombet e Bashkuara thanë se duhet të çmilitarizohet zona që e rrethon. Zaporizhja është centrali më i madh bërthamor në Europë e në të gjenden 6 nga 15 reaktorët që ndodhen në Ukrainë. Forcat ruse e kanë nën kontroll këtë central, që nga ditët e para të pushtimit të vendit fqinj.
Vendet perëndimore i bënë thirrje Moskës të tërheqë forcat e saj nga Zaporizhja. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres:
Objekti nuk duhet të përdoret si pjesë e ndonjë operacioni ushtarak. Në vend të kësaj, nevojitet një marrëveshje urgjente në nivel teknik për një perimetër të sigurt të çmilitarizimit, për të garantuar sigurinë e zonës.