Beyoncé, një ‘ringjallje’ në mbretërinë e muzikës…
Ajo është një perëndi…Ajo është një heroinë…Ajo mbijetoi gjithë ç’pat’ kaluar…Ajo është rilindur…Ajo jeton ndër alter-ego për të nxjerrë artin e saj për ata dhe ato…që frymojnë…jetojnë…rilindin. Le të jetë kjo motoja që përmbledh rikthimin e Beyoncé-s në mbretërinë e muzikës. Është pikërisht ky moment që risjell “të parën” e “Say my name” në trajta më enorme dhe në një dimension evolimi artistik reflektuar, përkthyer në “rilindje”. Një album shumë dimensional që ka për qëllim të ftojë dëgjuesit në një zonë komforti, në “një vend të sigurtë, pa gjykim…një vend për të qenë të lirë nga perfeksionizmi dhe mendimet e tepërta.” Qeliza mëmë, Beyoncé, urdhëron elektrizimin e çdo grimce trupore dhe lartësimin e çdo grimce shpirtërore, nëpërmjet këtij albumi nga ku shpirti i askujt nuk mund të thyhet apo kapitullojë…
Me gjithë izolimin dhe padrejtësinë gjatë vitit të kaluar, mendoj se ne të gjithë jemi gati të arratisemi, të udhëtojmë, të duam dhe të qeshim përsëri…
Tha Beyoncé në median e saj…
Ndjej që një rilindje po shfaqet dhe dua të jem pjesë për të ushqyer atë arratisje në çdo mënyrë të mundshme.
Në nisjen e “Renaissance”, këngëtarja e ka caktuar veten si një enë çlirimi. Në këngën kryesore të albumit, “Break My Soul”, ajo kthehet nga një udhëtim përmes vetë-reflektimit për të përhapur objektivin edhe më qartë. “Çlironi zemërimin, çlirojeni mendjen/ çlirohuni nga puna, nga koha. “Break my soul” erdhi si thirrja e parë e këngëtares për t’i shpëtuar izolimit socialo-kulturor që pandemia solli.
Ndryshe nga albumi “Lemonade” apo Beyoncé e 2013-ës, “Renaissance” i përket pistës së vallëzimit, pa balada për ndarje, vetëm energji e pastër pozitive, nga ku lajtmotivi “Në dreq të shkojë gjithçka” është i njëjtë si pulsi i zemrës tek njeriu. Këngët e dashurisë janë pothuajse tërësisht të drejtuara tek dashuria për veten.
Krijimi i këtij albumi më lejoi një vend për të ëndërruar dhe për të gjetur arratisje gjatë një kohe të frikshme për botën.
Shkruante ajo në letrën, e cila doli drejtpërdrejt ditën e publikimit të projektit.
Më lejoi të ndihesha e lirë dhe aventuriere në një kohë kur asgjë nuk lëvizte. Krijimi i këtij albumi më lejoi një vend për të ëndërruar dhe për të gjetur shpëtim gjatë një kohe të frikshme për botën.
Në vazhdën e këtij universi që përmblidhet në një pistë kërcimi “Alien superstar” vjen si një paralajmërim për katarsis. Beyoncé u kujton dëgjuesve se aura e tyre është bukur “unike”. Një këngë frymëzuar nga gjithë rrugëtimi artistik dhe sakrifica sociale e këngëtares. Termi “alien” i dedikohet femrës, e cila e fiton suksesin në një botë ku suksesi, unikaliteti janë medalje të botës mashkullore. Frymëzuar nga motivi i “I’m Too Sexy” të Right Said Fred, kënga vjen si nevojë e të vetëndjerit për të treguar që gjithësecili ka të drejtën të jetojë, të rrëfehet dhe të vërtetojë që është banor i Tokës në mënyrë unike. “Ne vishemi në një mënyrë të caktuar / Ne ecim në një mënyrë të caktuar, por te gjitha këto gjëra ne i bëjmë në një mënyrë të ndryshme / unike, specifike që është personalisht e jona.” “Alien Superstar” e gjen Bey-n duke edukuar dëgjuesin ta dojë veten, në mënyrën më unike e të reflektojë pikërisht unikalitet…
Dihet pak për dy albumet e ardhshme, por “Variety” raportoi se një pjesë e këtij cikli artistik me tre akte do të shfaqi këngë me prirje të muzikës lokale dhe shumë fansa parashikojnë një zhvillim të mëtejshëm në rrymën dance ose një kthim në rrënjët e saj R&B dhe pop. Një gjë është pak por e sigurt, që disco-ja ka nevojë për pak funky-groove, rrymë e cila gjendet me shumicë në këtë akt të rilindjes.
Të jesh i lidhur me rrënjët nuk do të thotë të jesh peng i së shkuarës, por të evolosh, të rilindësh duke ditur se nga vjen pa apo me paragjykimet përreth.
Queen B nuk ka ngurruar së gërshetuari rrënjët e saj me muzikën, përfshi këtu dhe fenë, apo besimin, nga ku merr frymëzim edhe “Church girl.” Të quhesh ‘vajzë kishe’ nuk është diçka për të cilën dëshiron të mburresh në komunitet. Kur mendoni për një vajzë kishe, imagjinoni një vajzë të re tepër fetare, të ngurtë që këndon himne dhe vesh funde të gjata çdo ditë. Epo, në fakt, ajo për të cilën Beyoncé lufton në këtë këngë është, t’i prezantojë botës moderne, se disa ‘vajza të kishës’ janë në të vërtetë mjaft të egra sapo godasin klubin. Ose shikuar nga një këndvështrim tjetër, ato zakonisht janë aq të rezervuara, saqë kur u jepet mundësia të “sillen të lirshme”, këto zonja priren të provojnë gjithçka. Arsyeja e krijimit të “Church girl” është pikërisht për të zhbërë stereotipin apo paragjykimin e vajzave besimtare, por edhe për të çstrukturuar mënyrën si shoqëria ua ka caktuar, krijuar stilin e jetesës. Beyoncé i fton vajzat e saj të ‘përzihen me jetën nëse duan, pa u ndjerë fajtore. Në këtë kënge Beyoncé si një vajzë e rritur në kishë dhe me struktura të forta fetare, u drejtohet vajzave të saj duke i ftuar të ndihen aq të barabarta sa të tjerët që mund t’i paragjykojnë.
Ishte bukur për aq sa zgjati…Kjo nuk është një fjali që arti i Beyoncé-s e pranon…Me vite Beyoncé ka treguar që e bukura zgjat pak, me rëndësi është të dish si ta ruash me vite këtë “pak”, edhe kur të tjerët tentojnë të ta marrin…Ishte viti 2016…pyetja se “Si mund të tradhtohet Beyoncé” u bë kryefjala e mediave dhe vetë “hakmarrja artistike” e titulluar “Lemonade” e çoi përçarjen e çiftit Beyoncé-Jay Z në një tjetër nivel sa revoltues aq edhe njerëzor. Ylli i muzikës foli publikisht për pabesinë e bashkëshortit, duke e quajtur gruan tjetër “Becky me flokët e bukur”. Një vit më pas, Jay-Z trajtoi skandalin, duke pretenduar se stili i tij i jetesës rezultoi në mbyllje emocionale dhe përfundimisht në tradhti. Por njerëzit evolojnë…Duke qenë se ky album sjell rilindjen e shpirtit artistik të këngëtares, nuk kishte se si të mungonte një këngë dedikuar raporteve familjare. Në njërën prej këngëve, këngëtarja e njohur i referohet lidhjes së 21-vjeçares me bashkëshortin e saj, reperin Jay-Z, duke kënduar se “askush nuk është perfekt” dhe se ata nuk kanë nevojë për “pranim nga bota”.
Ne nuk kemi nevojë për pranimin e botës. Ata janë shumë të ashpër me mua, ata janë shumë të ashpër me ty…
…këndon Beyoncé në “Plastic off the Sofa”, duke iu referuar vëmendjes së vazhdueshme mediatike që ka marrëdhënia e saj me Jay-Z. Mesa duket këngëtarja është e bindur se Jay-Z nuk do ta përsërisë sjelljen e tij problematike, ndaj në një varg thotë:
Unë jam numri një, jam e vetmja!
Në vitin 2019 në një mbrëmje çmimesh për të drejtat e komunitetit LGBTQ+ Beyoncé deklaroi:
Dua t’ia kushtoj këtë çmim xhaxhait tim Johnny, homoseksualit më të mrekullueshëm që kam takuar ndonjëherë, i cili më rriti mua dhe motrën time. Dëshmia e betejës së tij me HIV ishte një nga përvojat më të dhimbshme që kam jetuar ndonjëherë. Shpresoj që lufta e tij shërbeu për të hapur shtigje për të rinjtë e tjerë për të jetuar më lirshëm.
Albumi i ri i Beyoncé-s, është i zhytur thellë në kulturën queer. Është një album i cili në gjenezë përpos nxitjes shpirtërore mbështet çdo orientim seksual, mënyrë jetese, gjini, pa etiketa sociale dhe me një emërues të përbashkët: “TË QENURIT NJERI.” aq sa të bën të pyesësh se cila qe nxitja e parë e frymëzimit për këtë album. Epo, albumi i dedikohet xhaxhait të saj të ndjerë Johnny dhe nëna e Beyoncé, Tina Knowles-Lawson, gjatë publikimit të albumit (ku në kopertinë janë ajo dhe Johnny) shkroi disa rreshta në Instagram për të hedhur pak dritë se kush ishte dhe sa shumë vlerë kishte Johnny për Beyoncé-n.
Ishte i bukur ky dedikim! Përfshinte nipin tim Johnny në këtë foto me mua, kur unë isha 38 vjeç, ndersa ai 40. Tek fotoja e albumit ne jemi në një klub dhe ai qepi fustanin për mua. Johnny ishte njeriu im më i afërt në botë. Ne ishim të pandashëm teksa rriteshim bashkë! Më vonë, ai u be dadoja/administratori/dizenjuesi/partneri i vallëzimit/i besuari dhe miku im. Unë qeshja vazhdimisht me të dhe i besoja pa kushte! Kur ai vdiq, një pjesë e imja shkoi me të. Solange dhe Beyoncé e adhuronin. Ai më ndihmoi t’i rrisja ato. Dhe ndikoi në ndjesitë e tyre, në stil dhe unikalitetin e tyre! Ai ka qepur fustanin e maturës së Beyoncé. Mbrëmë, ajo më tha të dëgjoja me vemendje fundin e këngës “Heated” dhe e dëgjova fragmentin e tekstit: ‘Xhaxha Xhoni ma ka qepur fustanin’ dhe m’u përlotën sytë.
Johnny e dashuronte discon dhe muzikën house”, tha zonja Tina, dhe i prezantoi fëmijët e mi me këtë rrymë qëkur ishin të vegjël… Tani ai po i buzëqesh nga qielli Bey-t. Duke thënë se ia dole zonjushë! Ne të duam, Johnny dhe na mungon vazhdimisht. Sikur të ishe këtu për të kërcyer me ne, do ta digjnim fare!
Në përmbylljen e titrave Beyoncé shkruan:
Një falenderim të madh për ty xhaxha Johnny. Ai ishte kumbari im dhe personi i parë që më njohu me muzikën që shërben si frymëzim për këtë album. Faleminderit po ashtu të gjithë pionerëve që krijuan këtë kulturë origjinale artistike, faleminderit për të gjithë ëngjëjt puna e të cilëve mbeti e pa kredituar ndër vite. Ky album është një manifestim dhe një dedikim për ju dhe Johnny-n.
“Reneissance” nënkupton jo vetem rilindjen e këngëtares por edhe rilindjen e këngëve të harruara apo që tregu i sotëm nuk i përqafon në “formulat e asaj çka quhet Hit. Një ndër risitë sa të pëlqyera aq edhe të kritikuara janë krijimet e këngëve mbi fragmente të këngëve ekzistuese ndër dekada e vite, në formë përkujtimi për paraardhësit artistikë të Beyoncé. Nëse dëgjojmë “Heated” kujtojmë Donna Summer me “I feel love”. Nëse dëgjojmë “You ëon’t break my soul” kujtojmë Robin S me “Shoë me love”. “Alien superstar” me “I’m too sexy” e shumë ringjallje të tjera artistike. Por jo çdo artist ka qenë mbështetës i kësaj ideje…aq më tepër kur nuk janë përmendur si bashkëautorë. Kelis, këngëtarja e njohur ka akuzuar së fundmi divën e muzikës pop, Beyoncé se ka vjedhur muzikën e saj për ta vendosur në album. Fillimisht, artistja u shpreh kështu:
Jam e befasuar sepse niveli i mungesës së respektit dhe injorancës së plotë të të tre palëve të përfshira është befasues. E kam dëgjuar këngën në të njëjtën mënyrë si të gjithë të tjerët. Asgjë nuk është kurrë siç duket, disa nga njerëzit në këtë biznes nuk kanë shpirt apo integritet dhe i kanë mashtruar të gjithë.
Pas këtyre akuzave, rrjeti ‘u çmend’ ku shumë e kritikuan dhe patën komente negative për Kelis për shkak të fjalëve të saj. Me anë të një video të postuar, artistja shpjegoi gjithçka duke treguar se është puna e saj dhe nuk po shpik asgjë duke ngritur kështu akuza të rënda ndaj Beyoncé dhe bashkëpunëtorëve të saj.
Unë jam një artiste, kështu që jam e ndjeshme në lidhje me punët e mia. Realiteti është se problemi im nuk është vetëm me Beyoncé-n, sepse në fund të ditës, ajo kapi një rekord. Ajo më ka kopjuar më parë, si shumë artistë të tjerë, është në rregull, nuk më intereson kjo. Çështja është se jo vetëm ne jemi artiste, por artiste me ngjyrë në industri nuk ka shumë. Ne jemi takuar, e njohim njëra-tjetrën, kemi miq të përbashkët. Nuk është e vështirë. Ajo mund të më kontaktojë, apo jo? Është thjesht mirësjellje e zakonshme. Unë e di se çfarë është e imja dhe çfarë jo. Unë gjithashtu i di gënjeshtrat që janë thënë, i di gjërat që u vodhën. Publikimet u vodhën, njerëzit u mashtruan. Kjo ndodh gjatë gjithë kohës. Kjo është një goditje e drejtpërdrejtë për mua. Ka njerëz që janë verbuar, është budallallëk. Ajo tregoi mungesë respekti, sepse minimumi mund të më kishte kontaktuar. Për të gjithë fansat e Beyoncé-s, unë nuk jam xheloze, për çfarë të jem? Sepse dikush përdori këngën time? Kjo është gjëja më idiote që kam dëgjuar.
“Milkshake” është zyrtarisht një këngë e Kelis, por gjithsesi artistja nuk ka kreditet si producente, kompozitore apo tekstshkruese ne albumin e Beyoncé, teksa si producentë të këngës janë përmendur, Chad Hugo, Pharrell Williams, Rob Walker dhe Neptunes. Ende nuk ka një reagim nga Beyoncé lidhur me këto akuza të Kelis.
Për të gjithë fansat e mi…Uroj që të gjeni gëzim në këtë projekt muzikor. Uroj që t’ju frymëzojë për të shkarkuar energjinë negative, për t’u ndjerë aq unike, të fortë dhe seksi sa ju jeni. Ju dua thellësisht!
..Kështu e përmbyll Beyoncé rrëfimin e saj në këtë akt të parë rilindjeje me porosinë që në gjithë këtë orbitë tokësore, qendra dhe boshti kryesor është gjithësecili që ka forcën të thotë: “UNË JETOJ”!