Rusia sulmon me raketa stacionin e trenit në Ukrainë, 22 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur!
Pesë nga viktimat e sulmit në qytetin lindor të Chaplyne u dogjën për vdekje në një automjet ku ndër to ishte edhe një fëmijë 11-vjeçar. Presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi sulmin në mes të një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ai tha se rreth 50 persona janë lënduar.
Rusia deri më tani nuk ka bërë asnjë koment. Ajo ka mohuar vazhdimisht se ka shënjestruar infrastrukturën civile.
Zelensky tha se mësoi për sulmin në Chaplyne, në rajonin e Dnipropetrovsk, ndërsa po përgatitej të fliste me Këshillin e Sigurimit, duke shtuar:
Kjo është mënyra se si Rusia u përgatit për takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Në prill, një sulm në një tjetër stacion treni vrau më shumë se 50 njerëz. Ukraina kujtoi dje përvjetorin e pavarësisë dhe Zelensky kishte thënë më parë se Rusia mund të bëjë diçka “mizore” për të ndërprerë festimet.
Kryeqyteti ukrainas, Kiev dhe disa qytete tjera të mëdha, kanë ndaluar festimet publike, pas paralajmërimeve se Rusia mund të përdorë këtë ngjarje për të sulmuar infrastrukturën civile dhe qeveritare. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka thënë banorëve që të jenë vigjilentë teksa festojnë, pasi përvjetori i pavarësisë përkon me gjashtëmujorin e nisjes së luftës.
Në ditën e shënimit të përvjetorit të 31-të të pavarësisë, Zelensky ka thënë se planifikon të ndajë çmime për ukrainasit që kanë kontribuuar në forcimin e shtetit. Në vend të paradës, pajisjet ushtarake ruse të shkatërruara janë vënë në rrugën kryesore të Kievit, si përkujtim për tentimet e dështuara të Moskës që të marrë kontrollin e kryeqytetit ukrainas në ditët e para të luftës. Uashingtoni po ashtu ka paralajmëruar se Rusia mund të përdorë këtë përvjetor për të nisur sulme më të mëdha.