Bashkimi Europian, veprime urgjente për të kontrolluar çmimet e energjisë elektrike!
Bashkimi Europian po përgatitet të ndërmarrë veprime urgjente për të reformuar tregun e energjisë elektrike dhe për të kontrolluar çmimet e energjisë të cilat janë rritur në mënyrë të pafrenueshme që prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë. Për këtë arsye, ministrat e Energjisë nga vendet anëtare të BE-së do të zhvillojnë bisedime të ngutshme në Bruksel në 9 shtator. Von der Leyen, presidentja e KE është shprehur:
Rritja e skajshme e çmimit të energjisë elektrike po ekspozon kufizimet e modelit aktual të tregut tonë të energjisë. Janë disa rrethana që kanë çuar në këtë situatë. Kjo është arsyeja pse ne po punojmë tani intensivisht për një ndërhyrje emergjente dhe një reformë strukturore të këtij tregu.
Kryetarja e KE-së sqaroi se një reformë e plotë e tregut Euvropian të energjisë elektrike duhet të nisë teknikisht në fillim të vitit të ardhshëm. Çmimet e gazit dhe të energjisë elektrike duhet të shkëputen nga njëra-tjetra, shtoi ajo pas diskutimeve që pati me ministrin gjerman të ekonomisë Robert Haback në Berlin. Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz gjithashtu bëri thirrje për veprim.
Nevojiten veprime te shpejta për reformimin e tregut; zgjidhja në nivelin e BE-së është më e mira që kemi.
Komisioni Europian ende nuk ka publikuar një plan të hollësishëm mbi reformën në fjalë, por disa vende anëtare si Italia dhe Belgjika kanë kërkuar për një çmim të përkohshëm tavan në çmimet e shitjes me shumicë të gazit. Zyrtarët europianë po marrin gjithashtu në konsideratë masa për ndarjen e çmimit të energjisë elektrike nga ai i gazit dhe për të marrë parasysh burimet e tjera të energjisë. Disa shtete anëtare kanë nisur masat e tyre për uljen e çmimeve, megjithatë Brukseli beson se nëse kryeqytetet e BE-së do të punojnë së bashku për këtë situatë, do të jenë më efektive.