Dështon atentati ndaj zv.presidentes së Argjentinës, Kirchner/Arrestohet personi që i drejtoi pistoletën në fytyrë!
![](https://www.vovmagazine.al/wp-content/uploads/2022/02/56-2-150x150.png)
![Dështon atentati ndaj zv.presidentes së Argjentinës, Kirchner/Arrestohet personi që i drejtoi pistoletën në fytyrë!](https://www.vovmagazine.al/wp-content/uploads/2022/09//deshton-atentati-ndaj-zv-presidentes-se-argjentines-kirchner-arrestohet-personi-qe-i-drejtoi-pistoleten-ne-fytyre.jpg)
Panik në Argjentinë, zv.presidentja Cristina Fernandez de Kirchner, e cila ka mbajtur edhe postin e kryetares së shtetit, i shpëtoi një atentati. Një person u arrestua në kryeqytetin Buenos Aires, pasi i vuri pistoletën në kokë 69-vjeçares. Ai ishte mes turmës së mbështetësve të mbledhur pranë shtëpisë së saj dhe që po i përshëndeste sapo zbriti nga makina.
Presidenti Alberto Fernandez bëri të ditur se arma kishte pesë plumba, por u bllokua në momentin kur autori, një 35-vjeçar nga Brazili, tentoi ta shkrepte.
Cristina është gjallë, pasi për arsye teknike ende të pakonfirmuara, arma që përmbante pesë plumba, nuk funksionoi.
El video del arma contra @CFKArgentina pic.twitter.com/8j1xpMnPoe
— Lautaro Maislin (@LautaroMaislin) September 2, 2022
Pas arrestimit të autorit, arma u gjet e hedhur pak metra larg vendit ku ai tentoi vrasjen.
Tashmë, agresori është arrestuar në lidhje me atë që cilësohet si një prej ngjarjeve më serioze që nga nga rikthimi i demokracisë në Argjentinë, në vitin 1983.
Zv.presidentja argjentinase po përballet me një proces gjyqësor për korrupsion e sapo ishte kthyer nga gjykata në momentin e ngjarjes. Cristina Fernandez de Kirchner i mohon akuzat. Nëse shpallet fajtore, rrezikon dënimin me 12 vjet burg, si dhe ndalim të përjetshëm nga çdo funksion publik.
Presidenti Alberto Fernandez shtoi:
Ne mund të mos biem dakord, të kemi mosmarrëveshje të thella, por nuk duhet të ketë vend për fjalimet e urrejtjes, pasi ushqejnë dhunë dhe dhuna nuk mund të ekzistojë bashkë me demokracinë.
![](https://www.vovmagazine.al/wp-content/uploads/2022/09/deshton-atentati-ndaj-zv-presidentes-se-argjentines-kirchner-arrestohet-personi-qe-i-drejtoi-pistoleten-ne-fytyre-6311aa2668476.jpg)
Sot në Argjentinë u caktua ditë pushimi për të lejuar argjentinasit “të shprehen në mbrojtje të jetës, demokracisë e në shenjë solidariteti me zv.presidenten”.