Mbyllet greva e pilotëve të Lufthansa-s!
Fluturime të anuluara, check-in të zbrazur, radhë të gjata në sportelet e rezervimit. E tillë ishte gjendja e krijuar në disa aeroporte në Gjermani. Siç paralajmëruan, dje pilotët e kompanisë ajrore, Lufthansa zhvilluan një grevë 24-orëshe: 800 fluturime u anuluan, 130 mijë pasagjerë u prekën. Shumica ishin në dijeni për anulimet, por në sportelet e shërbimit të Lufthansa-s u krijuan radhë të udhëtarëëve të distancave të gjata që shpresonin të fluturonin me linja të tjera.
Sipas sindikatës së pilotëve Vereinigung Cockpit VC, greva përfshiu vetëm fluturimet që niseshin nga Gjermania dhe jo kompanitë bija të Lufthansa-s, Eurowings, Lufthansa Cityline dhe Eurowings Discover.
Prej fillimit të vitit, 5 mijë kapitenët e ndihmës pilotët e kompanisë më të madhe ajrore gjermane, kërkojnë 5.5% rritje page, si dhe rritje automatike të saj në përputhje me inflacionin, duke filluar nga viti i ardhshëm. Të tjera kërkesa kanë të bëjnë me më shumë para’ për ditët kur janë të sëmurë, me pushime apo trajnime, si edhe me më tepër ndikim në politikat e kompanisë.
Shumë vite më parë, drejtuesit e kompanisë i premtuan sindikatës së tyre garantimin e 325 avionëve, që do të drejtoheshin vetëm nga 5 mijë pilotët e Lufthansa-s. Por, i shtrënguar nga kriza e COVID-it, bordi drejtues nuk e mbajti premtimin.
Greva e pilotëve përkoi me ditët e fundit të pushimeve verore në tre lande të Gjermanisë, Hessen, ku gjendet aeroporti i Frankfurtit, më i madhi i Gjermanisë, Baden Württenberg e Saarland. Kryetari i grupit më të madh opozitar, CDU/CSU, Friedrich Merz, e kritikoi ashpër grevën e pilotëve e tha se “nuk ka mirëkuptim për momentin e grevës, për shkak të gjendjes së tensionuar ekonomike në Gjermani”. Apeloi edhe që mosmarrëveshjet të zgjidhen në tryezën e bisedimeve, jo në kurriz të udhëtarëve.
Pilotët e Lufthansa-s janë nga më të paguarit në Gjermani, ndaj edhe grevat që bëjnë, gjejnë pak mirëkuptim në shoqëri. Paga e tyre vjetore nis nga 63 mijë euro bruto, sipas pilotbildung.net. Pas 8-12 vjetësh përvoje pune, varion nga 110 mijë në 225 mijë euro në vit.