Në betejë me kancerin, diva hollivudiane thirrje ndjekësve të mos dorëzohen!
Jane Fonda është një luftëtare, në vite e përfshirë në beteja, sidomos për klimën. Por, tani aktores 84-vjeçare i duhet “të ndeshet” në një tjetër luftë, atë me sëmundjen. Në Instagram, njoftoi se nisi trajtimin kundër kancerit, një limfomë jo-Hodgkin, por se ndihet me fat.
Ka diçka shumë personale që dua të ndaj me ju. M’u diagnostikua një limfomë jo-Hodgkin e nisa kemioterapinë. Eshtë fjala për një lloj kanceri shumë të trajtueshëm. 80% e njerëzve mbijetojnë, ndaj jam me shumë fat.
Por, Jane Fonda nuk mendon vetëm për veten. Një shqetësim e ka për të gjithë ata që nuk disponojnë sigurim shëndetësor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nuk mund të kurohen.
Jam me fat edhe sepse kam një sigurim shëndetësor e mund të përfitoj kurat dhe trajtimet më të mira mjekësore. E kam të qartë se është e dhimbshme që në këtë kuptim, jam e privilegjuar. Thuajse çdo familje në Amerikë ka patur të bëjë me kancerin në një farë mënyre dhe shumë njerëz nuk kanë akses në kura mjekësore cilësore, ashtu si unë. Kjo nuk është e drejtë!
Ndërkohë, fton ndjekësit të mos dorëzohen:
Gjithçka që bëjmë tani do të përcaktojë të ardhmen tonë!
Në një intervistë të fundit për CBS-in, diva hollivudiane, e cila pritet të mbushë 85 vjeç më 21 dhjetor ka treguar për mënyrën si e përjeton kalimin e viteve:
E di shumë mirë se jam më pranë vdekjes dhe nuk më bezdis kjo gjë. Ajo që më bezdis është se praktikisht, trupi im, nuk duket më i imi, as gjunjët, krahët e shpatullat e mia. Vetëm në fytyrë rinjoh veten.
Eshtë fakt që ende jam gjallë dhe në punë, ndaj kush “çan kokë” nëse nuk kam gjymtyrët si dikur e nuk mund të bëj më ski apo të lëviz me biçikletë e të vrapoj?! Mund të jemi të moshuar që 60 vjeç e të jemi të rinj në moshën 85 vjeç.