Kurti dhe Haxhiu dorëzojnë në Kuvend dosjen për vettingun në drejtësi
Dosja e vettingut në drejtësi do t’i dorëzohet sot kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Kështu thanë gjatë një konference të përbashkët për media më 4 shtator, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Pas një pune intensive, dhe pas konsultimeve me grupe parlamentare, sot po e dorëzojmë në Kuvendin e Kosovës dosjen e dokumenteve të vettingut, përfshirë draftin e amandamenteve kushtetuese për vettingun, projektligjin për vettingun, koncept-dokumentin për vetting dhe po ashtu dokumentin shpjegues lidhur me vettingun të hartuar nga Ministria e Drejtësisë”, tha Haxhiu.
Vettingu është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.
Sipas Haxhiut, dokumentet e dosjes janë “në përputhje të plotë më rekomandimet që kanë dalur nga Komisioni i Venecias”.
“Reforma në drejtësi mundëson që në sistem të mbeten vetëm ata që kanë integritet të lartë moral dhe profesional dhe që pasurinë e tyre mund ta justifikojnë”, tha ajo.
Kurti tha se pas konferencës do ta takojnë Konjufcën për t’ia dorëzuar këtë dosje.
Qeveria e Kosovës, më 13 tetor, kishte miratuar koncept-dokumentin për vettingun në drejtësi përmes së cilit synohet të forcohet sundimi i ligjit.
Vettingu me ndryshime Kushtetuese kërkon dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës më herët kishin thënë se Kosovës i duhet vetting sistematik në drejtësi.
Ndërkaq Komisioni Evropian kishte kritikuar planin e Qeverisë së Kosovës për të bërë vetting “të njëhershëm të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve”, duke thënë se ky do të ishte “burim serioz i shqetësimit”.