Britania e Madhe do të drejtohet nga Liz Truss!
Pritjes i erdhi fundi. Liz Truss e cila ka qenë kryediplomatja e Londrës, tashmë merr drejtimin e Partisë Konservatore britanike e rrjedhimisht detyrën e kryeministres, duke zëvendësuar të dorëhequrin Boris Johnson.
Boris Johnson dha dorëheqje më 7 korrik, kur kabineti i tij u përball me skandale etike. Ai po shërben si kryeministër në detyrë, por është kritikuar gjerësisht për dështimin që t’i përgjigjet krizës së energjisë.
Votimi për liderin e ri u mbyll të premten, por sot bëhet publik emri. Johnson dhe pasardhësja apo pasardhësi do të udhëtojnë për në Skoci për t’u takuar nesër me Mbretëreshën Elizabeta e Dytë, që zyrtarisht Boris Johnson të dorëzojë dorëheqjen, ndërsa liderit të ri t’i bëhet ftesë të formojë qeverinë. Takimet e Mbretëreshës me kryeministrat, tradicionalisht mbahen në Pallatin Buckkingham në Londër. Por, për shkak të problemeve të fundit shëndetësore, monarkja 96-vjeçare do t’i presë në Skoci, ku zakonisht kalon pushimet e verës.
Me 81 mijë e 326 vota, Truss mundi rivalin Rishi Sunak, i cili siguroi 60 mijë e 399 nga anëtarët konservatorë. Tashmë, ajo trashëgon një ekonomi që po shkon drejt një recesioni të gjatë e duhet të ndërmarrë masa për të zbutur krizën e kostove të jetesës në Mbretërinë e Bashkuar. Nga kriza e pas luftës në Ukrainë, faturat e energjisë janë trefish më të larta se viti i kaluar. Inflacioni arriti në mbi 10%, për të parën herë që nga vitet ‘80. Qeveria britanike përballet me thirrjet që të ofrojë paketa financiare, për të ndihmuar miliona persona që të paguajnë faturat e ngrohjes, për të kaluar dimrin.
Partia Laburiste në opozitë dhe të tjerë kritikë e akuzojnë qeverinë se “nuk veproi” gjatë verës teksa pakënaqësitë sociale kanë shtyrë mijëra punonjës të kompanive të trenave, porteve e postës, avokatë dhe të tjerë, që të hyjnë në grevë për të kërkuar paga më të mira, pas rritjes së kostove të jetesës.
Truss, e cila gjerësisht shihej si favorite për postin e kryeministres, fitoi mbështetjen e shumë prej konservatorëve me politikën e saj që shteti të ndërhyjë e të shkurtojë taksat. Ajo premton të veprojë “menjëherë” për të luftuar rritjen e çmimeve të energjisë.
I portretizuar si ekonomist më realist, Sunak bëri të ditur se përkohësisht do të ndërpresë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për faturat e energjisë. Angazhohet të mos e zhysë shtetin në borxhe dhe që të tjera shkurtime tatimore të bëhen kur inflacioni të vihet nën kontroll.
Ekonomia do të jetë çështja kryesore në muajt e parë të mandatit të kryeministres së re, por pasardhësja e Johnson-it duhet të merret edhe me pozitën e Mbretërisë së Bashkuar në skenën ndërkombëtare, nën dritën e pushtimit rus të Ukrainës, rritjes së pranisë së Kinës e tensioneve me Bashkimin Europian mbi periudhën post-BREXIT.