Dhunimi i 11-vjeçares, në Prishtinë vazhdojnë protestat për mbrojtjen e grave dhe vajzave!
Me thirrjet: “Shkarkoni gjyqtarët dhe prokurorët patriarkalë”, “Asnjë më”, “Gra armatosuni”, “Nuk durojmë më”, qindra qytetarë protestuan edhe sot në Prishtinë, për të shprehur revoltën kundër dhunës seksuale ndaj grave e vajzave. Protestuesit u ndalën para selive të Qeverisë, Policisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe atij të Prokurorisë, ku kërkuan edhe shkarkimin e kryeprokurorit të Prishtinës, Kujtim Munishi.
Ne do të vazhdojmë të jemi këtu derisa Prokuroria të na tregojë përfundimisht që është me viktimat e jo dhunuesin!
Një ditë më parë, dorëheqjen e Munishit e kërkoi edhe ministrja e Drejtësisë e Kosovës. Albulena Haxhiu tha se “duhen veprime edhe ndaj prokurorëve e gjyqtarëve që nuk po i kryejnë si duhet detyrat”. Protestat morën shkas nga rasti i përdhunimit të një vajze 11-vjeçe më 27 gusht, në një park të Prishtinës.
Rastin e 11-vjeçares, institucionet e drejtësisë po e trajtojnë në dy vepra penale. Krahas paraburgimit prej 30 ditësh për pesë të dyshuarit për dhunimin e të miturës, e njëjta masë u caktua edhe për gjashtë të tjerë, që sipas institucioneve të drejtësisë, në qershor trafikuan, dhunuan e shfrytëzuan të miturën për shërbime seksuale.
Protestuesit kanë disa kërkesa për Qeverinë e Kosovës e ndër të tjera kërkojnë legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjes së gazit irritues për vetëmbrojtje, shkarkimin e zyrtarëve që nuk e kanë kryer punën e tyre, krijimin e njësisë së specializuar për dhunën seksuale në Policinë e Kosovës, futjen e lëndës së edukatës seksuale në shkolla, si dhe drejtësi e rehabilitim për të mbijetuarat e dhunës seksuale.
Edhe më 31 gusht, në Prishtinë u mbajt një protestë me të njëjtat kërkesa. Në të njëjtën ditë, tubime pati edhe në Tiranë e Shkup. Deri tani, lidhur me rastin e dhunimit të të miturës në Prishtinë, dorëheqje kanë dhënë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, dhe Ali Gashi nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.