Ilir Meta Meta: Vendosim brenda 24 orëve për protestën e parë!
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta konfirmoi se qytetarët shqiptarë do të mësojnë në këto 24 orët e fundit se kur do të jetë protesta e radhës antiqeveri.
Në një konferencë për mediat, Meta tha se Partia e Lirisë ka një axhendë dhe se do të protestohet atje ku ka padrejtësi.
Teksa u pyet nga gazetarët nëse kanë një datë të përbashkët me Berishën për protestën, ai tha se s’mund të flasin ende për një datë konkrete.
“Nuk mund të flasim për një datë konkrete për protesta në emër të të gjithë opozitës, opozitës së bashkuar, apo opozitës së vërtetë, pasi kjo nuk është shumë e rëndësishme. Qytetarët duhet të protestojnë për çdo padrejtësi. Edhe kur u ndodh kolegëve tanë, apo çdo njeriu në komunitetin tonë. Partia e Lirisë ka një axhendë të sajën për të nisur protestat antikorrupsion, pikërisht për vetë veprat e krimit që janë kryer dhe po konsumohen. Të jeni të sigurt se do të njoftohen protestat në këto 24 orë. Do të ketë protesta atje ku ndodh krimi, atje ku vidhet qytetari dhe taksat e tij. Kjo gjë do të ndodhë edhe kur të konsultohem me drejtuesit e partisë.”, tha Meta.
Gjithashtu kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta gjatë komunikimit me mediat u pyet edhe nëse do të huazojë tri deputetë për të bërë një grup të ri parlamentar.
Ai theksoi se nuk është bërë asnjë tentativë e tillë, ndërsa paralajmëroi se do të jetë vazhdimisht para parlamentit me qytetarë që ndihen të papërfaqësuar.
Pyetja: A do të huazoni dhe tre deputetë të tjerë për të bërë një grup parlamentar
“Nuk kemi bërë asnjë tentativë të tillë, mos u habisni kur të jem vazhdimisht përpara parlamentit së bashku me qytetarët që ndihen të papërfaqësuar, që siç e tregojnë dosjet dhe të vëzhguesve të OSBE/ODIHR, ku shteti u shkri në një parti. Forca më e dëmtuar ishte ish LSI, që në vend që të kishte 12 mandate, tani qëndron te njerëzit. Jo vetëm brenda parlamentit me 4 deputetët, por dhe jashtë përballë një parlamenti të deformuar” u shpreh Meta.