Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiç nis vizitën në Kosovë!
Me Mitrovicën e Veriut, Ana Bërnabiç nisi vizitën në veri të Kosovës ku u prit nga përfaqësues të Listës Serbe, si dhe të institucioneve që punojnë në sistemin e Serbisë. Kjo është e para vizitë që nga koha kur u zgjodh në krye të qeverisë së Beogradit, në vitin 2017. Krahas Mitrovicës së Veriut, përfshihen edhe ndalesa në Zveçan e Leposaviç, gjithashtu komuna me shumicë serbe. Serbët e përshëndetën e në duar mbanin pankarta me mbishkrime si:
Sa të kemi presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç dhe Anën tonë, nuk i druhemi asgjëje!
Tre ditë më parë, Kosova e lejoi vizitën, pasi Ministria e Punëve të Jashtme iu përgjigj pozitivisht kërkesës. Dhënia e lejes bazohet në marrëveshjen lidhur me vizitat reciproke të përfaqësuesve politikë në të dy vendet. Në delegacionin e Bërnabiçit janë edhe zyrtarët e qeverisë serbe Petar Petkoviç e Mihaillo Jovanoviç.
Më herët, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë deklaroi se “kjo vizitë është domethënëse dhe e rëndësishme. Synon ruajtjen e paqes e të stabilitetit”. Po ashtu, pason marrëveshjen për shfuqizimin e dokumenteve të hyrjeve e daljeve, që Beogradi lëshonte në 11 vite për qytetarët e Kosvës. Akordi u arrit më 27 gusht.
Por, Kosova nuk hoqi dorë nga vendimi i dytë, i cili ka të bëjë me riregjistrimin e makinave me targa serbe, në targa RKS – Republika e Kosovës. Ky proces filloi më 1 shtator e do të zgjasë dy muaj. Beogradi pret negociata edhe për këtë çështje teksa përkatësisht propozon targa neutrale ndaj statusit të Kosovës, por Prishtina refuzon.
Vlerësohet se 10 mijë autovetura me targa si: KM (Mitrovicë e Kosovës), PZ (Prizren), UR (Ferizaj) e të tjera, të lëshuara nga Serbia, qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Rreth 10 vjet më parë, ato targa u hoqën në komunat në jug të Ibrit në bazë të një marrëveshjeje mes Kosovës e Serbisë për lirinë e lëvizjes.