Rita Ora përlotet për përdhunimin e 11-vjeçares në Kosovë: Duhet punuar shumë me të rinjtë
Këngëtarja Rita Ora, u përlot në fjalën e saj gjatë konferencës për shtyp kur foli për rastin e 11-vjeçares që u përdhunua nga pesë burra në Kosovë. “Mes lotësh” Rita Ora tha se këto ngjarje nuk duhet të përsëriten më.
“Ju kërkoj ndjesë sepse mund të jem emocionale. Ajo çfarë ndodhi në Kosovë na bëri të kujtojmë edhe një herë se sa e rëndësishme është për prindërit që të punojnë me fëmijët që këto ngjarje mos përsëriten më”, u shpreh Rita Ora.
“Pak javë më parë, ajo që ndodhi në Kosovë na bëri të kujtojmë se duhet të kemi në fokus këto çështje sociale dhe sa e rëndësishme është për prindërit dhe komunitetin që të punojnë me të rinjtë që këto ngjarje të mos përsëriten dhe të përmirësohet situata”, tha artistja.
Rita ftoi më tej të rinjtë të jenë pjesë e koncertit që ajo do të mbajë sonte në sheshin “Skënderbej” në kryeqytet dhe që do të jetë falas për të gjithë.
“Dua të theksoj këtë mesazh për familjen dhe t’i ftoj të gjithë që të bëhet pjesë e koncertit të sotëm në shesh”.
Ylli shqiptar me famë ndërkombëtare do të këndojë sonte 6 shtator, ora 20:00 në sheshin “Skënderbej”.
Koncerti do të jetë falas për të gjithë ata qytetarë që duan të shohin nga afër këngëtaren. Krah Rita Orës do të performojnë edhe këngëtarë të tjerë shqiptarë si Ronela Hajati dhe Kida.
Ndërkaq, abuzimi seksual ndaj të miturës u bë publik gjatë muajit gusht, pasi ajo u abuzua nga 5 persona të tjerë në një nga parqet e Prishtinës. Hetimi solli zbulimin e detajeve të tjera, ku dyshohet se ajo është abuzuar seksualisht dhe më pas trafikuar nga gjashtë persona gjatë muajit qershor.
Aktualisht janë 11 persona të arrestuar të dyshuar se e kanë trafikuar dhe kanë abuzuar seksualisht me të miturën. Kujtojmë se kjo ngjarje nxiti protesta në Prishtinë dhe Tiranë.