Lufta në Ukrainë, debate në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për Zaporizhjan!
Dita e 196-të e luftës në Ukrainë, armëpushimi në Zaporizhja dominon apelet e përsëritura ndërkombëtare. Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, “çdo dëm i qëllimshëm ose jo në central, nënkupton një katastrofë, jo vetëm për zonat aty pranë, por për të gjithë rajonin e më tej”.
Janë jetike përpjekjet për ta rikthyer centralin bërthamor të Zaporizhjas në infrastrukturë plotësisht civile. Si hap i parë, forcat ruse dhe ukrainase duhet të angazhohen të mos ndërmarrin asnjë veprimtari ushtarake atje. Të veprohet për të shmangur më të keqen! Të udhëheqin mirëkuptimi e bashkëpunimi!
Edhe Kina është e shqetësuar për bombardimet në Zaporizhja. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfaqësuesi kinez, Geng Shuang u shpreh:
Pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura e thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar, vazhdojnë bombardimet në central, edhe pas vizitës së inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore. Kjo është shumë shqetësuese, bota nuk mund të përballojë një tjetër katastrofë bërthamore.
Nga Agjencia e OKB-së për Energjinë Bërthamore, Rusia pret “sqarime” lidhur me përmbajtjen e raportit për situatën në centralin Zaporizhja, që dokumenti e përshkruan si “të paqëndrueshme”. Por, kryediplomati Sergei Lavrov thotë se “duhen shpjegime shtesë” se sipas tij, “ka shumë pikëpyetje”. Moska kërkonte që dokumenti të specifikonte që “ukrainasit po bombardojnë zonën e centralit”.
Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky njoftoi se ra dakord me kryeministren e re britanike, Liz Truss për të rritur presionin ndaj Moskës. Zelensky u bë i pari lider i huaj që bisedoi me Truss-in, tashmë në krye të qeverisë së Londrës.
E ftova të vizitojë Ukrainën. Eshtë e rëndësishme që Rusia të evidentohet si shtet terrorist.
Në një tjetër zhvillim të lidhur me luftën në Ukrainë, mësohet se ndërroi jetë komandanti i administratës ruse në qytetin Berdyansk, Artem Bardin, i plagosur dje nga një bombë në automjetin e tij. Bardin nuk iu mbijetoi plagëve të shumta e gjeti vdekjen në spital ku u dërgua në gjendje kritike.