Sulmi kibernetik nga Irani, Xhaçka: I paprovokuar!
Në konferencën për shtyp në MEPJ me zv.kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Holandës, Wopke Hoekstra, kryediplomatja Olta Xhaçka u ndal edhe në vendimin e qeverisë për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit, si një kundërpërgjigje ndaj sulmit kibernetik të ndodhur në korrik.
Hetimet e agjencive të specializuara kanë provuar pa asnjë hije dyshimi që ky sulm ishte i organizuar dhe sponsorizuar nga institucione shtetërore iraniane. Ishte një sulm i paprovokuar, pa asnjë shkak, kundër një vendi anëtar të NATO dhe kandidat për në Bashkimin Europian.
Sigurisht që ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike me cilindo vend, edhe me ato vende me të cilat ndan një vizion diametralisht të kundërt për botën, me të cilat ndan vlera e parime krejt të kundërta, sidomos për çështje që janë qendrore në politikën tonë të jashtme si të drejtat e njeriut, përbën një hap mjaft drastik sidomos, kur beson tek dialogu e bashkëpunimi si mënyra më e mirë për të ecur përpara.
Në këtë rast, agresiviteti i sulmit, shkalla e sulmit dhe mbi të gjitha fakti që ky ishte një sulm krejtësisht i paprovokuar, nuk linte hapësirë për asnjë vendim tjetër.
Ne jemi në komunikim të ngushtë me aleatët e partnerët, në NATO e BE, por edhe në nivel bilateral, u kemi kërkuar atyre mbështetje për vendimmarrjen e Shqipërisë e padyshim edhe mbështetje në të ardhmen për të adresuar këto lloj kërcënimesh sa më mirë.
Më herët u njoftua se u faktua që Irani ishte pas sulmit kibernetik që çoi në pezullimin e shërbimeve online, me efekt të menjëhershëm, qeveria shqiptare vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike. Me notë zyrtare, vendimi iu bë i ditur Ambasadës së Teheranit, duke iu kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës së Shqipërisë i të gjithë personelit diplomatik e tekniko-administrativ.
Kryeministri Rama tha se hetimi i thelluar na vuri prova të pakundërshtueshme se agresioni është bërë nga Irani. Ka angazhuar katër grupe, ndër to një nga më famëkeqët, autor i disa sulmeve, përfshirë Izraelit, Emirateve të Bashkuara e Qipros. “Informuam aleatët tanë strategjikë, NATO-n e ndamë edhe rezultate të pakundërshtueshme”, – u shpreh Rama. Edhe opozita reagoi.