Politika shqiptare mesazhe ngushëllimi për vdekjen e Elizabeth II
Politika shqiptare reagoi pas lajmit të vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II.
Kryeministri Edi Rama postoi në rrjetet sociale një foto të monarkes, me shkrimin “Goodbye Queen” (Lamtumirë Mbretëreshë).
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, në mesazhin e ngushëllimit për ndarjen nga jeta të Mbretëreshës Elisabeth II, shkruan:
“Ndarja nga jeta e Madhërisë së Saj, Mbretëreshës Elisabeta II, është një lajm i trishtuar jo vetëm për popullin e Mbretërisë së Bashkuar, por për gjithë njerëzimin. Një jetë e tërë në shërbim të kombit, të shtetit dhe qytetarëve! Mbretëresha Elisabeta II, përbashkuesja e kombit, e pranuar gjerësisht si simbol i stabilitetit të Mbretërisë së Bashkuar dhe botës, e ndihmoi vendin e saj në ndryshimet e mëdha përgjatë shtatë dekadave, për forcimin e identitetit kombëtar, rritjen e ndikimit gjeopolitik dhe të pozitës ndërkombëtare. Pushofshi në paqe, Madhëria Juaj!”.
Ilir Meta, kreu i Partisë së Lirisë, shkroi në Facebook:
“Thellësisht i trishtuar për ndarjen nga jeta të Madhërisë së Saj, Elizabeth II, e admiruar në mbarë botën për lidershipin frymëzues, përkushtimin dhe angazhimin e saj të pathyeshëm!
Duke vlerësuar lart kontributin e Saj të jashtëzakonshëm për forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, jam i bindur se figura dhe Udhëheqja e Saj e dalluar publike dhe ndërkombëtare do të kujtohet përherë me respektin më të thellë.
Ngushëllimet më të sinqerta për Familjen Mbretërore, Qeverinë dhe popullin britanik, si dhe të gjithë Komonuelthin për këtë humbje të madhe”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkroi në Twitter:
“Populli i Kosovës dhe unë i shprehim ngushëllimet më të thella Familjes Mbretërore dhe popullit britanik për shuarjen e Madhërisë së Saj, Mbretëreshës Elizabeth II. Përkushtimi i saj, puna e saj e palodhur dhe përulësia janë një frymëzim për të gjithë ne në këto kohë të vështira. U prehsh në paqe!”.