Lufta në Ukrainë, në Kherson shkojnë forca çeçene të Kadyrov-it!

vovalbania September 10, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Lufta në Ukrainë, në Kherson shkojnë forca çeçene të Kadyrov-it!

Më shumë se 1 mijë e 300 trupa paraushtarake, besnike të liderit çeçen, Ramzan Kadyrov kanë shkuar në rajonin ukrainas të Khersonit, si përforcim për ushtrinë ruse. Përmes një deklarate të publikuar sot, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës njofton:
Për të rritur forcën ruse në territoret e pushtuara përkohësisht në rajonin Kherson, ka arritur njësiti i ashtuquajtur “Kadyrovtsy”, me më shumë se 1 mijë e 300 anëtarë.

Ndërkohë, ekzistojnë të dhëna se trupat ukrainase kanë bërë përparime të konsiderueshme në rajonin e Khersonit, i pushtuar nga forcat ruse, pak pas nisjes së luftës në fund të shkurtit. Forca paramilitare e Kadyrovit është formuar në rajonin e Çeçenisë dhe shërben si ushtri e atij rajoni. Vazhdimisht, pjesëtarët e saj janë akuzuar nga organizatat ndërkombëtare për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Tashmë prej javësh, Kievi zyrtar përmend një kundërofensivë në zonat rreth rajonit Kherson. Një ditë më parë, gjatë një vizite në kryeqytetin e Republikës Çeke, Pragë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, deklaroi se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shohin sukses të Ukrainës në Kherson”.

Shefi i Pentagonit foli edhe për avancimet e forcave ukrainase në zonat rreth qytetit të dytë më të madh ukrainas, Kharkiv. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha dje se ushtria e tij ka shënuar fitore të konsiderueshme e se 30 vendbanime janë çliruar rreth rajonit të Kharkivit, që prej nisjes së kundërofensivës më herët gjatë kësaj jave.

Kur presidenti rus, Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, ai e quajti luftën “operacion special ushtarak për të çmilitarizuar e denazistifikuar Ukrainën”. Perëndimi u përgjigj ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra ekonomike, por tani ka një shqetësim në rritje për ndërprerjen e furnizimeve me gazin rus, çka përbën problem të madh në Europë me afrimin e stinës së ftohtë të dimrit ku temperaturat ulen në mënyrë të ndjeshme. Siç dihet, konflikti ka çuar edhe në rritje të konsiderueshme të çmimeve, duke sjellë krizë të kostove të jetesës.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65741 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE