Sot mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, Kosova në fokus!
Me vendim të presidentit Aleksandar Vuçiç, sot mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Serbisë, me fokus gjendjen në Kosovë dhe sfidat e sigurisë. Gjithashtu, pritet të diskutohet për sigurinë energjetike e përgatitjet për dimrin. Këshilli mblidhet menjëherë pas vizitave të të dërguarit të posaçëm për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak e të këshilltarëve të Gjermanisë e Francës për dialogun, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune.
Të tre diplomatët shkuan në Kosovë e Serbi, ndërsa rreth një javë më parë, presidenti francez, Emmanuel Macron e kancelari gjerman, Olaf Scholz, iu bënë thirrje udhëheqësve Albin Kurtit e Aleksander Vuçiçit, që të tregojnë vendosmëri e gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat do të çonin drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Që nga viti 2011, Kosova e Serbia po zhvillojnë negociata me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian në Bruksel, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve. Deri më tani janë arritur dhjetëra marrëveshje, edhe pse shumica e tyre nuk zbatohen në terren. Shpesh herë, palët akuzojnë njëra-tjetrën për bllokim të dialogut.
Tensionet e fundit mes tyre u rritën më 31 korrik, në prag të fillimit të zbatimit të dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave reciproke ndaj Serbisë lidhur me dokumentet personale e riregjistrimin e automjeteve nga targat serbe në RKS (Republika e Kosovës).
Për të shmangur përshkallëzimin e gjendjes, pasi disa serbë në veri të Kosovës ngritën barrikada, Kosova shtyu zbatimin e këtyre vendimeve me 30 ditë. Ndërkohë, dy vendet arritën marrëveshje për dokumentet, për heqjen e letrave të hyrje-daljeve për të gjithë qytetarët, nga të dyja anët.
Në fillim të këtij muaji, më 1 shtator, Kosova nisi zbatimin e vendimit për riregjistrimin e makinave, proces që parashikohet të zgjasë dy muaj. Serbia pret negociata edhe për këtë çështje, duke propozuar targa neutrale ndaj statusit të Kosovës, gjë të cilën Prishtina zyrtare nuk e pranon.