Sulm kibernetik ndaj faqes zyrtare të Ministrisë së Arsimit të Maqedonisë së Veriut!

vovalbania September 10, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Sulm kibernetik ndaj faqes zyrtare të Ministrisë së Arsimit të Maqedonisë së Veriut!

Në Maqedoninë e Veriut, sot faqja zyrtare e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës u përball me një sulm kibernetik. Aty u shfaq mesazhi: “Hakeruar nga ekipi grek i hakerave Netwatchers” e nëse klikohet del një video në YouTube me titullin “Maqedonia e famshme”.

Zyrtarë të ministrisë siguruan se “nuk ka aspak vend për shqetësim lidhur me pretendimet për shkarkimin e të dhënave të qytetarëve, sepse faqja e internetit nuk e ka një bazë të tillë”.

Ministria e Arsimit është në komunikim me Qendrën Kombëtare për Sulme Kibernetike pranë Agjencisë së Komunikimeve Elektronike, ku u raportua rasti e presim që në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, të ndërmerren veprime konkrete për zbulimin e burimit të sulmit.

Ekspertë të Ministrisë së Arsimit po ndërmarrin veprime për rritjen e sigurisë së faqes së internetit, që më pas të aktivizohet. Sulmi kibernetik vjen pasi të enjten, një tjetër grup hakerash në Twitter kërcënoi se do ta sulmonte këtë faqe dhe t’i shkarkonte të dhënat, nëse nuk i vendosej flamuri bullgar.

Sulme kibernetike ndaj institucioneve të Maqedonisë së Veriut pati edhe vitin e kaluar kur u hakerua faqja e internetit e Entit Shtetëror të Statistikave. Në shënjestër ishte sistemi i regjistrimit të popullsisë. Ditët e fundit, për sulme kibernetike raportojnë edhe Shqipëria, Kosova e Mali i Zi.

Më 6 shtator, Qeveria e Kosovës njoftoi se disa ueb-faqe të institucioneve shtetërore ishin në fokus të një sulmi kibernetik, por pa i specifikuar ato.

Nuk u arrit të depërtohej brenda infrastrukturës së rrjetit kompjuterik shtetëror, pasi u bllokua nga pajisjet përkatëse të sigurisë.

Në fund të muajit gusht, qeveria në Mal të Zi bëri të ditur se ishte shënjestër e sulmeve kibernetike e hodhi dyshime mbi Rusinë e Kubën. Një ekip i FBI-së amerikane shkoi në Mal të Zi dhe ende ndodhet atje për të ndihmuar autoritetet të forcojnë sigurinë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65741 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE