Nesër nis viti i ri shkollor, Policia e Shtetit me plan masash për mbarëvajtjen!

vovalbania September 11, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Nesër nis viti i ri shkollor, Policia e Shtetit me plan masash për mbarëvajtjen!

Ndërsa nesër nis viti i ri shkollor 2022-2023, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku mblodhi vartësit, me qëllim dhënien e porosive. Efektivët e Rrugores do të jenë në të gjitha akset për të menaxhuar trafikun, që të mos krijohen bllokime, nisur nga fluksi i lartë i automjeteve të prindërve, që shoqërojnë fëmijët në shkolla. Ndër të tjera, punonjësit e Policimit në Komunitet, ngarkohen që çdo ditë të mbajnë kontakte me shkollat për marrjen e masave që lidhen me çështje të sigurisë.

Rrumbullaku kërkoi angazhim, profesionalizëm, etikë dhe kulturë nga punonjësit e Policisë që do të jenë të planëzuar me shërbim, pranë shkollave, në të gjithë vendin dhe kërkoi gjithashtu, kontroll nga eprorët e tyre për zbatimin e detyrave të përcaktuara në planin e masave.

Gjithashtu, ai kërkoi që ndryshe nga çdo vit tjetër, pranë shkollave, të jenë të planëzuar patrulla të përgjithshme, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe ndihmës/specialistë të Policimit në Komunitet, të cilët do të monitorojnë qarkullimin e automjeteve në afërsi të shkollave dhe do të ndihmojnë nxënësit dhe prindërit, me qëllim vijimin e trafikut normal dhe parandalimin e ngjarjeve të mundshme rrugore.

Punonjësit e Policisë Rrugore do të jenë prezent në të gjitha akset rrugore, kryqëzime dhe rrethrrotullime, për të monitoruar dhe për të menaxhuar trafikun, me qëllim moskrijimin e bllokimit të lëvizjes së lirë të përdoruesve të rrugës nisur nga fluksi i lartë i automjeteve të prindërve, me të cilat do të çojnë fëmijët në shkolla.

Shefat e komisariateve të Policisë që kanë nën juridiksion, shkollat me numrin më të lartë në nxënësve në shkallë vendi, të takohen me drejtuesit e shkollave, për të hartuar plane pune të përbashkëta, me qëllim koordinimin e veprimeve me drejtuesit e shkollave dhe me bordet e prindërve, për ndërhyrjen në kohë, për të eleminuar dhe për të parandaluar depërtimin e fenomeneve negative apo përshkallëzimin e konflikteve të mundshme në shkolla.

Shefat dhe ndihmës/specialistët e Policimit në Komunitet, çdo ditë do të mbajnë kontakte me drejtuesit e shkollave, qeveritë e nxënësve dhe oficerët e sigurisë në shkolla, për t’u njohur me situatën dhe do të marrin pjesë në çdo mbledhje të bordit të prindërve, që lidhet me çeshtje të sigurisë në shkolla.

Shërbimet e Policisë Rrugore dhe ato të Patrullës së Përgjithshme të mos ndalojnë dhe të mos ndëshkojnë me masa administrative prindërit që do të çojnë nxënësit në shkolla, por të ndërhyjnë për të ndihmuar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe lëvizjen e sigurtë të nxënësve, nga njëri kah i rrugës në tjetrin.

Me qëllim eleminimin e bllokimit të rrugëve përpara shkollave, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e prindërve që të mirëkuptojnë dhe ndihmojnë punonjësit e Policisë, për menaxhimin e trafikut rrugor.

Policia e Shtetit uron nxënësit dhe stafet pedagogjike, sa më shumë suksese në vitin e ri shkollor dhe garanton prindërit dhe qytetarët se ka marrë të gjitha masat për të garantuar rendin dhe sigurinë në shkolla, përreth tyre dhe në të gjithë territorin e vendit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65715 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE