Euractiv: Sulmi kibernetik iranian ndaj Shqipërisë, jo vetëm për MEK-un!
Në kushtet e dy sulmeve kibernetike iraniane ndaj Shqipërisë, më 15 korrik e më 9 shtator e që shënjestruan shërbimet online, në veçanti e-Albania/n dhe sistemin TIMS, ngrihen pikëpyetje për motivet. Portali i njohur i Brukselit, Euractiv i bën jehonë zhvillimeve të fundit e gjithashtu, vendimit të Tiranës zyrtare për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit, duke dëbuar diplomatët iranianë brenda 24 orëve.
Autoritetet shqiptare frenuan një sulm të dytë kibernetik gjatë fundjavës, pasi Tirana, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërpreu të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Teheranin, të cilin e fajëson për “sabotazh”.
E gjithë kjo, në kohën kur vazhdojnë të zbehen shpresat për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me regjimin e ajatollahëve, pasi vendet kryesore europiane po shprehin “dyshime serioze” për qëllimet e tij.
Sulmi i fundit në Shqipëri vjen vetëm disa ditë pasi kryeministri Edi Rama akuzoi Iranin se qëndron pas një sulmi kibernetik të 15 korrikut që nxori jashtë funksionit të gjitha faqet e internetit të qeverisë e shërbimet digjitale të qytetarëve dhe u përshkrua nga Microsoft si “shkatërrues”.
Ai urdhëroi diplomatët iranianë të largoheshin nga vendi brenda 24 orëve, duke ndërprerë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me efekt të menjëhershëm. Në sulmin e fundit, ata që tentonin të përdornin sistemin TIMS, i cili regjistron çdo person që hyn dhe del jashtë vendit, u përballën me një mesazh ku thuhej: “Shqipëria ende po paguan për aktet terroriste të kultit MEK në Durrës; kjo lojë do të vazhdojë.”
Megjithatë, disa analistë mendojnë se fakti që Shqipëria strehon që prej vitit 2016 Organizatën e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit, nuk është arsyeja e vetme përse Shqipëria ka përjetuar sulme të tilla.
Ata mendojnë se kjo ndodh edhe për faktin që vendi është shumë pro-amerikan, është aleat i NATO-s, shtëpi e një baze ajrore të Aleancës e potencialisht, në të ardhmen, edhe e një baze detare të NATO-s. Ditët e fundit, sulme digjitale kanë përjetuar edhe Kosova e Maqedonia e Veriut, por ende nuk dihet se kush qëndron pas tyre.