Mjafton t’ju nuhasë për ta kuptuar nëse vuani nga kjo sëmundje, infermierja habit shkencëtarët!
Kur Joy Milne kalon në rrugë ajo fare lehtë mund të zbulojë nëse dikush vuan nga sëmundja e Parkinsonit. Milne është një infermiere skoceze në pension, e cila, falë një ndjesie të pazakontë të nuhatjes, mund të nuhasë erën tipike të kësaj sëmundjeje neurodegjenerative, shumë kohë përpara se të shfaqen simptomat. Ajo ia ka vënë në dispozicion shkencës këtë aftësi. Së bashku me të, një ekip studiuesish nga Universiteti i Mançesterit kanë krijuar një test joinvaziv që e njeh sëmundjen në vetëm tre minuta dhe që shpresojmë se së shpejti do të përdoret në mjedisin klinik.
Kur burri i saj ishte 33 vjeç, Milne vuri re se lëkura e tij kishte filluar të lëshonte një erë të re dhe të myshkët, veçanërisht në zonën rreth shpatullave dhe pas qafës. 12 vjet më vonë, burri u diagnostikua me sëmundjen e Parkinsonit. Duke ndjekur një grup mbështetës për pacientët dhe familjet, gruaja vuri re të njëjtën erë te pacientët e tjerë. Në vitet në vijim, Joy kishte filluar të bashkëpunonte me disa bioteknologë dhe kimistë nga Universiteti i Edinburgut dhe Mançesterit, të cilët në vitin 2019, kishin arritur të identifikonin molekulat përgjegjëse për atë erë, disa prej të cilave janë të pranishme vetëm te njerëzit me Parkinson.
Tani ai ekip, nën mbikëqyrjen e Milne, ka zhvilluar një test të thjeshtë, një tampon për t’u kaluar në lëkurë, që duket se dallon rastet e Parkinsonit te njerëzit që presin diagnozën me 95% efektivitet. Përgjigjja kalon përmes analizës së sebumit, substancës yndyrore të prodhuar natyrshëm nga lëkura që mendohet se pëson ndryshime kimike tek të prekurit nga kjo sëmundje. Ajo mblidhet nga pjesa e pasme e qafës dhe e shpinës së pacientit, një zonë që zakonisht lahet më rrallë dhe më pas analizohet me një teknikë të quajtur spektrometria e masës, e cila “emërton” molekulat specifike brenda mostrës së pacientit.
Duke krahasuar sebumin e 79 personave me Parkinson me atë të 71 personave të shëndetshëm, u zbulua se në të parën kishte 500 molekula unike, karakteristike të sëmundjes. Shkencëtarët tani janë në fazën delikate të vërtetimit të testit dhe transferimit të njohurive në mjedisin klinik.
Shpresa është që të arrihet në një mjet diagnostikues që mund të përdoret kryesisht në spitalet e Mançesterit dhe mjekët e përgjithshëm për konfirmim të mëtejshëm të efektivitetit, brenda disa viteve. Tani Milne po bashkëpunon me grupe të tjera shkencëtarësh për të kuptuar nëse sëmundjet e tjera, siç është tuberkulozi ose lloje të caktuara tumoresh, kanë gjithashtu një erë karakteristike, të cilën vetëm disa me receptorë super të talentuar, janë në gjendje ta perceptojnë.