Tensionet Armeni-Azerbajxhan, ndërkombëtarët kërkojnë dialog!

vovalbania September 14, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Tensionet Armeni-Azerbajxhan, ndërkombëtarët kërkojnë dialog!

Liderët botërorë bëjnë thirrje për ndalim të menjëhershem të armiqësive mes Armenisë e Azerbajxhanit. Apelet vijnë pasi rreth 100 ushtarë u vranë në luftimet në kufirin mes dy shteteve, më vdekjeprurëset që nga përfundimi i luftës së vitit 2020 mbi rajonin e shkëputur të Nagorno-Karabakut. Secila palë raporton fatalitete në radhët e forcave të armatpsura: 50 ushtarë azerë e 49 armenë, të gjithë të vrarë. Të dy vendeve, Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kombet e Bashkuara, po iu kërkojnë të ndalin luftimet.

Në orët e para të mëngjesit, Ministria e Mbrojtjes së Armenisë akuzoi Azerbajxhanin se rinisi sulmet. Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u bën thirrje palëve që në mënyrë urgjente të ulin tensionet, të tregojnë vetëpërmbajtje maksimale e të zgjidhin çështjet e hapura përmes dialogut e brenda kornizave ekzistuese.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, zhvilloi biseda telefonike me kryeministrin armen, Nikol Pashinian dhe presidentin azer, Ilham Aliyev. Mësohet se Blinken vuri në dukje se “konflikti nuk është në interes të askujt” e apeloi t’u rikthehen bisedimeve për arritjen e paqes afatgjatë.

Zëdhënësi i sekretarit Blinken, Ned Price, tha se “Uashingtoni do të shtyjë përpara ndalimin e menjëhershëm të luftimeve e një zgjidhje paqësore mes shteteve fqinje”. Ndërkohë, diplomati veteran amerikan, Philip Reeker, i cili së fundmi është ngarkuar të ndihmojë në nisjen e negociatave mes këtyre dy shteteve të Kaukazit, një ditë më parë qëndroi në Baku, por vizita e tij në kryeqytetin azer ishte planifikuar më herët, edhe pse përkoi në kohë tensionesh.

Ndërkohë, zyra e presidentit francez, Emmanuel Macron, tha se Franca do të kërkojë që përplasjet mes Armenisë e Azerbajxhanit të diskutohen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Qeveria armene bëri të ditur se do të aktivizojë marrëveshjen e bashkëpunimit me Moskën dhe i kërkoi ndihmë Organizatës së Traktatit për Siguri Kolektive, CSTO, bllok rajonal i sigurisë i udhëhequr nga Rusia dhe nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Në CSTO bën pjesë Armenia, por jo Azerbajxhani.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65737 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE