Putin takohet me Xi Jingping, e falenderon për Ukrainën dhe i ofron mbështetje për Tajvanin!
Presidenti rus, Vladimir Putin e ka falënderuar liderin e Kinës, Xi Jinping për pozicionin “e balancuar” për Ukrainën, dhe i ka ofruar atij mbështetje për Tajvanin.
Dy liderët u takuan të enjten në kuadër të samitit të Organizatës për Bashkëpunim të Shangait (SCO). Ky samit mbahet në Samarkand më 15 dhe 16 shtator.
“Ne e vlerësojmë shumë pozicionin e balancuar të miqve tanë kinezë në lidhje me krizën ukrainase”, tha Putin.
“Ne i kuptojmë pyetjet dhe shqetësimet tuaja në këtë drejtim dhe sigurisht që do të ofrojmë një shpjegim të detajuar të qëndrimit tonë në lidhje me këtë çështje gjatë takimit të sotëm, edhe pse tashmë kemi folur për këtë më herët”, i tha Putin – liderit kinez.
Një deklaratën e qeverisë kineze, pas takimit, nuk përmend në mënyrë specifike Ukraina, por u tha se Xi premtoi “mbështetje të fortë” për “interesat thelbësore” të Rusisë.
Qeveria e Xi ka refuzuar të kritikojë veprimet ushtarake të Rusisë.
Ky është takimi i tyre i parë që kur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar ndaj Ukrainës, më 24 shkurt.
Në përpjekjen për të forcuar aleancën me Kinën, Moska e ka mbështetur Pekinin edhe për Tavanin.
“Ne dënojmë provokimet e SHBA-së dhe satelitëve të saj në ngushticën e Tajvanit”, tha lideri rus.
Tensionet mes Tajvanit dhe Kinës vazhdojnë të jenë të larta qëkur kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, vizitoi ishullin vetëqeverisës më herët gjatë gushtit. Kina u kundërpërgjigj duke mbajtur stërvitje ushtarake pranë ishullit.
Në kohën e pushtimit rus t Ukrainës, samiti po zhvillohet në sfondin e armiqësive midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, jo shumë larg Uzbekistanit, si dhe tensioneve në marrëdhëniet e Kinës me Uashingtonin, Evropën, Japoninë dhe Indinë, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi teknologjinë, sigurinë dhe territorin.
Putin u takua gjithashtu me liderë të shteteve të tjera, përfshirë ata të Indisë, Pakistanit, Turqisë dhe Iranit.
Kina dhe Rusia janë pjesë e SCO-s qëkur kjo nismë u krijua më 2001. Në këtë nismë bëjnë pjesë ish-shtetet sovjetike në Azinë Qendrore dhe organizata për Bashkëpunim e Shangait shihet si alternativë për grupet multilaterale perëndimore.
Kina nuk është pjesë e sanksioneve që Perëndimi ka vendosur ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës. Pekini po ashtu nuk ka dënuar këtë pushtim, por as nuk ka shprehur mbështetje publike për Moskën.