SHBA: 10 milionë USD për “kokën” e tre hakerave iranianë, pas sulmit ndaj Shqipërisë
Departamenti amerikan i Drejtësisë sanksionoi dhjetë individëve dhe dy entitete të lidhur me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, të akuzuar për kryerjen e akteve keqdashëse kibernetike, përfshirë kërcënime për publikim të dhënash në këmbim të parave, të njohura si sulme “ransomware”.
Mes tyre janë tre individë që thuhet të kenë shënjestruar Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe shtete tjera. Behet fjale per Mansour Ahmadi, Ahmad Khatibi Aghda dhe Amir Hossein Nikaeen Ravari.
10 milionë dollarë shpërblim për informacione rreth tyre ka ofruar Departamenti amerikan i Thesarit, lëvizja e të cilit vjen vetëm pak ditë pasi qeveria shqiptare vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me regjimin e ajatollahëve, qe e akuzoi drejtpërdrejt për sulmet paralizuese kibernetike në vendin tonë.
Tre eksponentët e shënjestruar nga SHBA thuhet të kenë ndërmarrë një mori sulmesh kibernetike nga tetori i vitit 2020 e deri në shtator të këtij viti, përmes të cilave kanë pasur për qëllim sigurimin e të dhënave personale e kanë kërkuar para për kthimin e tyre. Në disa raste viktimat, thonë autoritetet amerikane, i kanë bërë pagesat.
Në mesin e të prekurve janë edhe qeveri lokale, një institucion për strehim të personave që përballen me dhunë, një spital fëmijësh, disa kompani të kontabilitetit dhe kompani për prodhim të energjisë. Në faqen zyrtare të Departamenti amerikan të Thesarit thuhet se pagesat e raportuara për sulme të tilla në Shtetet e Bashkuara arritën mbi 590 milion dollarë në 2021, krahasuar me një total prej 416 milion dollarë në 2020.
Ahmadi, Khatibin e Nikaeen përfunduan në lupën e administratës amerikane pas disa goditjesh të ndërmarra kryesisht në sisteme lokale të Mississippi-t dhe Indiana-s në SHBA, por edhe në shtete të tjera. Të tre ata janë të punësuar në kompani të mëdha teknologjike, të cilat operojnë në Iran, por gjithsesi kjo mendohet të jetë thjesht një detyrë kamufluese, për aktivitetin e tyre të vërtetë.
Washingtoni, është zotuar se do të godasë Iranin fuqishëm për ofensiven kibernetike ndaj Shqipërisë dhe do të operojë së bashku me Tiranën për zbrapsjen e çdo sulmi të mundshëm.