Estonia thekson rëndësinë e ndihmës ushtarake perëndimore për Ukrainën
Ndihma ushtarake perëndimore për Ukrainën ka qenë vendimtare në luftën e saj kundër pushtimit të Rusisë dhe vullneti politik për të vazhduar dërgesat e armëve nuk duhet të lëkundet, deklaroi sot kryeministrja estoneze Kaja Kallas.
“Kundërofensiva e vazhdueshme dëshmon se ndihma ushtarake po e çon Ukrainën më pranë fitores dhe paqes. Fokusi ynë duhet të jetë rritja e ndihmës dhe dërgesave të armëve për të zmbrapsur agresionin rus sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Kallas gjatë një takimi të Komitetit Ushtarak të NATO-s, në Talin.
Ushtria ukrainase kohët e fundit rimori territorin e pushtuar në një kundërofensivë në lindje të vendit.
“Disfata operacionale e fundit e Rusisë në Kharkov është një shenjë e kontrollit dhe mprehtësisë së Ukrainës. Ajo tregon efektivitetin e ndihmës dhe këshillave perëndimore”, tha Kallas.
Estonia ka kontribuar deri në 0,8% të prodhimit të saj ekonomik për të mbështetur Ukrainën”, tha ajo.
Komandanti i Forcave të Mbrojtjes të Estonisë, Martin Herem, u bëri thirrje gjithashtu kolegëve të tij nga 29 vendet e tjera të NATO-s që të vazhdojnë të ndihmojnë Ukrainën.
“Nëse duam të ruajmë rendin botëror siç e njohim ne, Ukraina duhet të fitojë. Ne duhet të nxisim vendet për të ofruar ndihmën e vazhdueshme ushtarake, qoftë në formën e mbështetjes materiale, trajnimit ose ndihmës tjetër përkatëse”, tha ai.
“Të gjithë e kemi kuptuar se ky nuk është një sprint, por një maratonë”, tha Herem.