Formimi i qeverisë në Malin e Zi, nesër nisin konsultimet!
Ditën e nesërme në orën 10:00, do të mblidhen përfaqësuesit e shumicës parlamentare për formimin e qeverisë në Mal të Zi dhe përbërjen e kryesisë së re parlamentare.
Përfaqësuesit e shumicës parlamentare deri më tani janë takuar disa herë për të arritur marrëveshje për zgjedhjen e mandatit dhe kryesisë së Kuvendit, por ende nuk është arritur marrëveshja përfundimtare, shkruan RTCG (Radio Televizioni Malazez).
Si kandidat i mundshëm për kryeministër është përmendur lideri i Demos-it, Miodrag Lekiç, si dhe disa përfaqësues të tjerë të subjekteve politike pjesëmarrëse në negociata.
Kuvendi i Malit të Zi votoi në orët e para të mëngjesit të 20 gushtit mosbesimin ndaj qeverisë së Dritan Abazoviç.
Qeveria u rrëzua me 50 vota pro dhe një kundër. Pas këtij vendimi Abazoviç do të funksionojë në mandat teknik deri në zgjedhjen e qeverisë së re.
Iniciativa për rrëzimin e qeverisë erdhi nga Partia Demokratike Socialiste e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, dhe një pjesë e partive në tjera, si një shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Abazoviçit për nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.