Hakerat nxjerrin email-et sekrete të Policisë së Shtetit!
Pas publikimit nga hakerat të skedës së sistemit TIMS të ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, situata duket shqetësuese. Tashmë janë publike më shumë se 1400 e-maile hyrëse e 1200 dalëse. Shumica e tyre, të publikuara nga hakerat e Home Land Justice janë shkëmbyer mes Gledis Nanos e vartësve, si dhe me institucione të tjera apo ambasada të vendeve të ndryshme në vendin tonë.
Mes morisë së emaileve të bëra publike, shumica i përkasin Drejtorisë së Antiterrorit mbi persona me prirje ekstremiste.
Një email i cilësuar “sekret” dhe i klasifikuar për 15 vite ishte ai që iu dërgua Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në lidhje me një sulm terrorist ndaj Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë, më 25 prill të vitit të kaluar. Në këtë email jepen detaje mbi sulmin me eksploziv të planifikuar nga 4 ekstremistë shqiptarë.
Nën siglën “sekret” janë edhe emaile të përpiluara me imtësi për sulmet ndaj ish-kryedemokratit Lulzim Basha apo kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe dy zyrtarëve kosovarë: Ismet Haxhës e Xhavit Halilit.
Sekret është edhe email-i i shkëmbyer mes Gledis Nanos e ambasadorit të Britanisë së Madhe, Alastair King Smith. Me të u dërgua edhe një dokument ku flitet për një studim për të rritur sigurinë në Portin e Durrësit.
Në një prej emaileve “sekret” e të shkëmbyer mes Gledis Nanos dhe strukturave të Policisë Kriminalë gushtin e vitit të kaluar, flitet për të shumëkërkuarin Talo Çela. Megjithëse është personi më i kërkuar momentalisht në vend, policia ka pasur dijeni se më 5 gusht 2021 është parë në një hotel në Rrugën e Dibrës e se takoi Ervin Matën, një tjetër person me rekorde kriminale, i cili sipas informatorit të policisë do ta paguante Talo Çelën për një vrasje.
Emailet i përkasin viteve 2021 e 2022. Publikimi i këtyre të dhënave sekrete kalon kufirin e cënimit të të dhënave personale duke cënuar Sigurinë Kombëtare. Shqipëria ka pësuar dy sulme kibernetike, i pari në 15 korrik ndaj platformës qeveritare e-Albania dhe i dyti më 9 shtator ndaj sistemeve të policisë. Pas këtyre sulmeve dyshohet se fshihet Irani.