Ligji i Dosjeve, Alibeaj kërkon qëndrimin e maxhorancës!
Duke vënë në dukje se shoqëria shqiptare ka nevojë të njohë të shkuarën e vet, sot në Komisionin e Ligjeve, Enkelejd Alibeaj kërkoi shpjegime mbi ligjin e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Kreu i grupit demokrat kujtoi se në korrik, një pjesë e deputetëve të PD-së depozituan një amendament me të cilin synohet të adresohet një çështje me interes publik, siç është deklasifikimi i dosjeve të spiunëve të ish-Sigurimit të Shtetit.
Ne kemi depozituar këtë amendament drejtuar ligjit aktual në fuqi, përmbajtja e të cilit është e thjeshtë. Pas 32 vitesh të rënies së sistemit komunist dhe të rënies së armës së Sigurimit të Shtetit, shoqëria shqiptare ka nevojë që të njohë të shkuarën e vet për shumë e shumë arsye. Për të parë se cilat kanë qenë pasojat e sistemit diktatorial, posaçërisht vepër e ish-Sigurimit të Shtetit. Jo vetëm kaq, por edhe për një arsye tjetër për të hequr një herë e përgjithmonë atë që është psikoza, modeli i shantazhit që përdoret duke u bazuar te modeli i sigurimit dhe aplikohet, pse jo edhe në politikë. Ka ardhur nga ana e qeverisë ky projektligj i ri, i cili synon të shfuqizojë ligjin në fuqi dhe nuk shoh nga ana e qeverisë të ketë trajtuar këtë çështje siç është deklasifikimi i dosjeve të spiunëve të Sigurimit të Shtetit.
Në Komisionin e Ligjeve ishte ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, nga e cila si përfaqësuese e maxhorancës, Alibeaj kërkoi të jepte një qëndrim për ligjin e dosjeve. Ndërsa theksoi se bashkëpunëtorët e Sigurimit, nuk duhet të kenë vend në politikë, Spiropali nënvizoi se “ky debat duhej të ishte shteruar shumë kohë më parë, për t’i hapur rrugë një politike të çliruar nga hijet e së shkuarës”.
Megjithatë kjo nuk ka ndodhur, por kurrë nuk është vonë për punë të mira. Dhe referuar propozimit tuaj mbi ligjin e dosjeve për deklasifikimin e dokumenteve që kanë lidhje me Sigurimin e Shtetit nga periudha 29 nëntor 1944-2 korrik 1991, me sa kuptoj nga opinioni që ka dhënë autoriteti dhe ajo që ne po shpresojmë të bëjmë nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi do ishte gjëja e duhur për t’u bërë pasi duhet një datë për deklasifikim të këtyre dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, por duke ruajtur diskrecionin e autoritetit që në rast se kur verifikohet dokumenti që mund të ketë lidhje me sigurinë kombëtare nuk deklasifikohet sipas vendimit të autoritetit. Ky është dhe opinioni që ka dhënë Autoriteti i Dosjeve mbi propozimin tuaj dhe është dhe një opinion që ne e ndajmë, por duhet diskutuar dhe në nivele të tjera për të rënë dakord dhe mbi këtë çështje. Janë pak çështje që ne biem dakord, por një çështje e tillë që kërkon pastrimin e politikes, por dhe të jetës publike në përgjithësi nga njerëz të cilët kanë ushtruar aktivitet kriminal dhe të dëmshëm në atë kohë dhe kanë qenë pjesë e strukturave, hierarkisë apo bashkëpunimit me Sigurimin e Shtetit mos kenë më vend në politikën tonë të lartë.