Rreziku i sobave me gaz, paralajmërojnë ekspertët!
Mënyra se si gatuani mund t’ju ekspozojë ndaj sëmundjeve të ndryshme të cilat mund të jenë edhe vdekjeprurëse. Ekspertët paralajmërojnë se gazi mund të jetë fajtor për shumë sëmundje. Sobat me gaz, të përdorura gjerësisht nga shumica e familjeve, mund t’i vënë familjet në rrezik të disa sëmundjeve vdekjeprurëse duke lëshuar të njëjtat grimca që dalin edhe nga makinat dhe kamionët.
Një profesor i shëndetit mjedisor në Universitetin e Bostonit në SHBA, tha së fundmi se sobat ndotin shtëpitë me dioksid azoti. Dr.Levy shpjegoi se:
Gazi mund të shkaktojë astmë tek fëmijët dhe të vendosë të rriturit në rrezik të kancerit. Substancat ndotëse më shpesh gjenden në autostrada por, duke qenë se kuzhinat janë hapësira të mbyllura, kur gazi është i pranishëm në shtëpi, familjet janë shumë më të rrezikuara për t’u ekspozuar ndaj vetive të tij që shkaktojnë kancer dhe astmë. Madhësia e shtëpisë dhe cilësia e ventilimit gjithashtu luajnë një rol. Ky gaz mund të prekë edhe të rriturit astmatikë dhe kontribuon si në zhvillimin ashtu edhe në përkeqësimin e sëmundjes kronike obstruktive pulmonare.
Një studim holandez zbuloi se njerëzit me soba me gaz kishin 42% më shumë gjasa të zhvillonin astmë. Edhe kur janë të fikura, sobat lëshojnë kimikate si metani, i cili jo vetëm që dëmton mjedisin, por gjithashtu mund të shkaktojë rrahje të shpejta të zemrës dhe vështirësi në frymëmarrje te njerëzit.
Kur soba me gaz është e fikur lëshon gjithashtu benzen, një kimikat i lidhur me kancere të ndryshme duke përfshirë leuçeminë. Një studim i fundit amerikan zbuloi se 95% e sobave me gaz çlirojnë gazin që shkakton kancer. Për të reduktuar ekspozimin e familjeve tuaja ndaj gazrave të dëmshëm, Dr.Levy sugjeroi të përpiqeni të përmirësoni ventilimin.