BE-ja pro rritjes së mbështetjes ushtarake për Ukrainën!
Ministrat e Punëve të Jashtme të Bashkimit Europian ranë dakord të vazhdojnë e të rrisin mbështetjen e tyre ushtarake për Ukrainën, si dhe të shqyrtojnë një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë, që në shënjestër kanë individë e sektorë të caktuar të ekonomisë ruse. Nga Nju Jorku ku merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kryediplomati europian, Josep Borrell tha se “hollësitë e paketës së sanksioneve ende duhet të përcaktohen nga përfaqësuesit e BE-së, por është e sigurt se do të ketë mbështetje të njëzëshme”.
Ishte e rëndësishme që ministrat të takoheshin e të dërgonin mesazh të fuqishëm, në ditën kur presidenti rus Vladimir Putin njoftoi mobilizimin e pjesshëm të rezervistëve ushtarakë. Putin po përpiqet të shkatërrojë Ukrainën.
Përveç vuajtjes së madhe që shkaktoi agresioni rus ndaj popullit ukrainas, Kremlini zgjodhi të zgjasë më tej koston e luftës edhe për popullsinë ruse.
Referenca e dukshme e Vladimir Putinit për gatishmërinë e Rusisë për të përdorur armët bërthamore, nëse është e nevojshme për të mbrojtur veten, paraqet përpjekje të papërgjegjshme e cinike për të penguar mbështetjen tonë të palëkundur ndaj Ukrainës.
Në një shkallë të pashembullt, këto kërcënime rrezikojnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Por, nuk do të lëkundin vendosmërinë e unitetin tonë për t’i qëndruar pranë Ukrainës. Nuk do të lëkundin as mbështetjen tonë gjithëpërfshirëse për mundësitë e Ukrainës për të mbrojtur tërësinë tokësore e sovranitetin e saj, për aq kohë sa është e nevojshme.
I convened this evening an ad-hoc meeting of EU Foreign Ministers
We decided to bring forward as soon as possible additional restrictive measures against Russia in coordination with partners
We will continue to support #Ukraine’s efforts through provision of military equipment pic.twitter.com/4jTNuXAh3s
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) September 22, 2022
Dje në një fjalim televiziv drejtuar kombit, shefi i Kremlinit deklaroi se “mobilizimi i rezervistëve që pasoi sukseset e Ukrainës në një kundërofensivë në pjesën verilindore të vendit, është i nevojshëm për të mbrojtur atdheun dhe sovranitetin e Rusisë”.
Putin akuzoi Perëndimin se po përpiqet të dobësojë e shkatërrojë Rusinë dhe theksoi se “vendi i tij do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur Rusinë e popullin rus”. Gjithashtu, përsëriti se qëllimi i Moskës në agresionin e saj tashmë 7-mujor në Ukrainë është “të çlirojë” rajonin lindor Donbas, duke thënë se “njerëzit atje, nuk duan të jenë pjesë e Ukrainës”.