Presidenti ukrainas, Zelensky mban fjalimin në Asamblenë e OKB-së/Rikërkon ndëshkim për Rusinë!
“Rusia duhet të përballet vetëm me ndëshkim për shkak të pushtimit të Ukrainës”. Kjo u deklarua nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në fjalimin video para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Ndërsa bëri thirrje për krijim të një gjykate speciale për luftën, përmendi krimet e pretenduara të luftës, të kryera nga Moska.
Gjithashtu, Zelensky prezantoi një “formulë” për paqen, që përfshin më shumë mbështetje ushtarake e ndëshkim të Rusisë në skenën ndërkombëtare. Fjalimi u duartrokit nga shumë prej pjesëmarrësve. Zelensky akuzoi Rusinë se shkaktoi “turbulenca katastrofike përmes luftës së paligjshme”. Ai foli në të njëjtën ditë kur presidenti Putin, mobilizoi rreth 300 mijë rezervistë ushtarakë në detyrë, vendim që ka nxitur protesta të rralla në rrugët e Rusisë.
Për Zelensky-n, “ky vendim tregoi se Putin nuk është serioz rreth bisedimeve për paqe”. Më tej, dënoi planet ruse që në disa qytete ukrainase të pushtuara nga Rusia, të mbahen referendume. Edhe Perëndimi e Kombet e Bashkuara dënuan diçka të tillë. Sipas presidentit ukrainas, “një gjykatë speciale do të ndihmonte që Moska të jepte llogari për grabitjen e territorit dhe vrasjen e mijëra personave”.
Ndër të tjera, përmendi zbulimin e 445 varrezave të reja në qytetin verilindor Izjum. Forcat ukrainase kthyen kontrollin e tij, në kuadër të një kundërofensive të nisur në fillim të muajit. Fjala “ndëshkim” u përmend 15 herë në fjalimin e Zelensky-t dhe ishte një prej pesë kushteve të panegociueshme për arritjen e paqes.
Rusia duhet të përballet me pasoja për agresionin. Të zbatohen sanksione shtesë dhe OKB-ja t’i pezullojë rolin e anëtares së përhershme në Këshillin e Sigurimit. Të mbrohen jetët ukrainase e të respektohen kufijtë ndërkombëtarë të shtetit. Kërkoj garanci të reja të sigurisë për Kievin dhe që bota të bashkohet për të dënuar agresionin e armatosur të Moskës.
I veshur me bluzë të gjelbër, Zelensky falënderoi 101 shtetet që votuan në OKB për prezantimin e tij video, në vend të pranisë fizike.
Ndërkohë, Ukraina dhe Rusia dje bënë një shkëmbim të madh të të burgosurve të luftës. Ukrainës iu liruan 215 trupa, përfshirë 10 të huaj, ndërsa Rusia priti 55 ushtarë e politikanin pro-rus, Viktor Medvechuk, i akuzuar për tradhti në Ukrainë.