Kuqezinjtë luajnë sot sfidën ndaj Islandës, Broja e Hysaj në stol?
Rotacion për të rifreskuar skuadrën, por edhe për t’i dhënë sinjale lojtarëve se askush nuk është i paprekshëm. Pasi paralajmëroi ndryshime për ndeshjen me Islandën, Edy Reja pritet të lërë jashtë dy emra të rëndësishëm.
Duke nisur nga Elseid Hysaj, që me shiritin e kapitenit në krah gaboi në rastin e të dy golave të pësuar në Izrael. Vendin e tij nga e majta do ta marrë Lenjani, teksa djathtas luan Balliu.
Trajneri do t’i kthehet rreshtimit 3-5-2, me Strakoshën të konfirmuar në portë dhe Gjasulën që do të rreshtohet në qendër të mbrojtës, përkrah Ismajlit dhe Veselit. Pas Ajetit të dëmtuar, penalizohet edhe Mihaj, i cili praktikisht i fali golin e fitores izraelitëve.
Me problemet e mëdha në mbrojtje, mesfusha do të jetë në funksion të fazës difensive. Ramadani e Asllani pritet ta nisin nga minuta e parë, me talentin e Interit që është në balotazh me Abrashin. Nedim Bajrami do të jetë paksa më i avancuar në rolin e organizatorit, pas Cikalleshit dhe Uzunit.
Edhe pse në teori pritet të mbetet në stol, Armando Broja do të jetë një alternativë deri në fund, me trajnerin Reja që prej gjendjes fizike, por edhe situatës jo të qetë brenda ekipit, do ta vendosë formacionin vetëm pak orë përpara sfidës me Islandën.