Presidenti i Serbisë, Vuçiç: Po sulmohemi për një dokument burokratik!

vovalbania September 28, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Presidenti i Serbisë, Vuçiç: Po sulmohemi për një dokument burokratik!

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç, tha sot se “një dokument burokratik, pa asnjë peshë të rëndësishme” u përdor në media për të sulmuar Serbinë. Vuçiç nuk specifikoi se për cilin dokument po fliste, por deklaratat e tij vijnë disa ditë pasi Bashkimi Europian kritikoi Serbinë për nënshkrimin e një marrëveshjeje në fushën e politikës së jashtme me Federatën Ruse.

Më 23 shtator, ministrat e Punëve të Jashtme të Rusisë dhe Serbisë, Sergei Lavrov e Nikolla Selakoviç, nënshkruan Planin e Konsultimeve të Ministrive të Jashtme të të dy shteteve për dy vitet e ardhshme. Plani konsultativ 2023-2024 i Serbisë dhe Rusisë u firmos në Nju Jork në sesionin e 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ky është dokumenti i parë diplomatik që Serbia dhe Rusia kanë nënshkruar që nga 24 shkurti, kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës. Përmbajtja e Planit të Konsultimeve nuk publikohet.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, tha se BE-ja është “seriozisht e shqetësuar” për afrimin e Serbisë me Rusinë. Ndërkohë, ambasadori i Unionit në Beograd, Emanuele Giaufret, deklaroi se “në rrethanat aktuale pret që Serbia të qëndrojë në mbrojtje të vlerave europiane dhe të së drejtës ndërkombëtare”.

Me nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim me Rusinë, Serbia dërgoi një mesazh krejtësisht të kundërt, pavarësisht se deklaroi se nuk do të njihte rezultatet e referendumeve të rreme që Rusia po zhvillon në territorin e pushtuar të Ukrainës.

Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Europian, Vladimir Bilçik, tha se nënshkrimi i marrëveshjes me Rusinë është “goditje” ndaj procesit të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Referendumet që Perëndimi dhe Kombet e Bashkuara i cilësojnë “të rreme”, u zhvilluan nga data 23 e deri dje më 27 shtator. Votimet u mbajtën në katër rajonet ukrainase që janë pjesërisht të pushtuara nga Rusia: Donjeck, Luhansk, Zaporizhja e Kherson. Këto katër rajone përbëjnë 15 për qind të territorit ukrainas.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65778 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE