Rekord inflacioni në Eurozonë!
Inflacioni në Eurozonë arriti në 10% në shtator, shifra më e lartë prej hedhjes së euros në treg. Sipas Eurostat-it, inflacioni ishte 9.1% në gusht. Rritja e çmimeve të energjisë, të ushqimit dhe atyre në sektorin industrial, dhanë ndikim në këtë rritje. Lituania, Letonia e Holanda janë shtetet me inflacionin më të lartë në Eurozonë me respektivisht: 22.5, 22.4 e 17.1%.
Çmimet e konsumit u rritën me 10% nga një vit më parë në shtator. Kjo është më shumë se parashikimi mesatar prej 9.7% në një sondazh të Bloomberg me ekonomistët dhe shënon muajin e pestë radhazi që rezultati ka tejkaluar parashikimet.
Energjia dhe ushqimet nxitën përsëri inflacionin, megjithëse një masë themelore që i përjashton ato, kryesoi vlerësimet për të arritur një nivel më të lartë historik prej 4.8%.
Të dhëna të tilla kanë rezultuar kritike në nxitjen e vrullit drejt rritjeve të mëdha të normës së interesit në muajt e mëparshëm dhe ky rezultat ka të ngjarë të nxisë thirrjet për një lëvizje tjetër të madhe në vendimin e ardhshëm të BQE-së, më 27 tetor.
“Hapi tjetër duhet të jetë ende i madh, sepse ne jemi ende shumë larg normave që janë në përputhje me inflacionin prej 2%”, – deklaroi anëtari i Këshillit Drejtues të BQE-së, Martins Kazaks në një intervistë në Vilnius, ku rritja e çmimeve ishte 22.5%. Megjithatë, politikëbërësit do të jenë nervozë në një tjetër lexim rekord.
Boris Vujçiç, guvernatori i Bankës Qendrore Kroate, i cili do t’i bashkohet Këshillit Drejtues të BQE-së në janar, paralajmëroi në një intervistë të botuar këtë javë se “kur inflacioni është i lartë, kur i afrohet niveleve dyshifrore, atëherë mund të shndërrohet në një sëmundje”.
Me Rusinë që i ka reduktuar Europës furnizimet me gaz dhe me dimrin që po afron, politikëbërësit po përgatiten për disa muaj edhe më të vështirë. Rritjet e çmimeve mund të përshpejtohen akoma më tej në disa vende, ndërkohë që recesionet po bëhen gjithnjë e më të mundshme.