Gjermania me rregulla të reja anti-COVID/Italia heq maskat në transportin publik!
Në Gjermani, sot hynë në fuqi rregullat e reja anti-COVID për periudhën e vjeshtës dhe atë të dimrit, ndërsa vendi përgatitet për një rritje të rasteve të infektimeve gjatë muajve të ftohtë, me temperatura që ulen ndjeshëm.
Në trenat që përshkojnë distanca të gjata, maskat FFP2 janë të detyrueshme për t’u mbajtur nga personat mbi 14 vjeç, ndërsa deri tani kanë qenë të mjaftueshme vetëm maskat kirurgjikale.
Nga ana tjetër, maskat janë hequr dhe nuk ka se përse të vihen gjatë fluturimeve me avionë.
Për më shumë, maskat FFP2 janë të detyrueshme në spitale, azilet e të moshuarve, si dhe në zyrat e mjekëve.
Në shtëpitë e kujdesit për personat në moshë të thyer e po ashtu në spitale, nga çdo person duhet të paraqitet një test negativ përpara hyrjes. Gjithashtu, punonjësit duhet të testohen disa herë në javë.
Nga sot, autoritetet lokale në Gjermani do të kenë fuqinë të vendosin mbajtjen e detyrueshme të maskave në trenat dhe autobusët lokalë, si dhe në zonat e brendshme si dyqane e restorante.
Në shkolla e çerdhe, testet mund të bëhen të detyrueshme, ndërkohë që mund të vendoset edhe një kërkesë për maskë.
Nëse situata e infeksionit përkeqësohet, landet gjermane kanë fuqinë të vendosin masa të mëtejshme kufizuese.
Ministri i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, u bëri thirrje autoriteteve vendore, që të vëzhgojnë nga afër tendencat e rasteve të infektimeve me COVID. Rregullat për mbrojtjen nga koronavirusi, Lauterbach i përshkroi si veçanërisht të rrepta nga standardet europiane.
Gjermania nuk është më e zgjuar, por është më e kujdesshme!
E duke mbetur në Europë, por në një tjetër vend, sot në Itali nuk është më e detyrueshme mbajtja e maskave në mjetet e transportit publik: autobusë, metro, trena e tragete. Por, mbetet domosdoshmëri të mos hiqen në institucionet shëndetësore, siç vendosi Ministria e Shëndetësisë që e zgjati deri më 31 tetor, urdhrin për vendosjen e tyre me detyrim.