Për mobilizimin, Rusia po bën të pamundurën me stimuj financiarë për rekrutët!
Ndërsa vendimi i 21 shtatorit i Putinit për të mobilizuar të paktën 300 mijë burra rusë e ndoshta deri në një milion, bazuar në disa raportime mediatike ka nxitur protesta në mbarë vendin e ka çuar në largime masive për të shmangur rekrutimin, Kremlini po ofron stimuj financiarë.
Ligjvënësit rusë po përpiqen të miratojnë amendamentet që rrisin përfitimet për ata që shërbejnë në Ukrainë, si dhe për familjarët e afërt, përfshirë ngrirjen e kësteve të kredive apo faljen e plotë të tyre.
Zyrtarët ushtarakë rusë premtuan t’iu paguajnë të rekrutuarve një pagë mujore që varion nga 135.000 në 200.000 rubla (2.290 deri në 3.400 dollarë) në varësi të gradës, një shumë që është dy deri në tre herë më e lartë se mesatarja kombëtare. Projektligji për lehtësimin e kredive, i miratuar më 28 shtator, ngrin shlyerjet e huave, përfshirë këstet për kreditë konsumatore për rekrutët dhe të gjithë të tjerët që po shërbejnë në luftë, si dhe për anëtarët e familjeve të tyre.
Ngrirja e kësteve të kredisë është e vlefshme gjatë kohës së shërbimit e përfundon 30 ditë pas çmobilizimit. Gjithashtu, drafti fal borxhet e ushtarëve të vrarë ose të plagosur rëndë gjatë luftës, si dhe detyrimet e familjarëve të tyre të afërt.
Më herët, më 27 shtator, Parlamenti miratoi disa ndryshime në Kodin e Punës, ndër to edhe garantimin e së drejtës së rekrutëve për t’u rikthyer në punë brenda tre muajve nga përfundimi i shërbimit ushtarak dhe mbrojtjen e bashkëshorteve nga shkarkimet e parakohshme nga puna apo nga puna jashtë orarit, pa miratimin e tyre.
Këto ndryshime ligjore i përjashtojnë burrat e mobilizuar dhe anëtarët e familjeve nga gjobat për pagesat e vonuara të faturave mujore për shërbimet komunale e mirëmbajtjen e ndërtesave të banimit. Duma po mendon të shkojë edhe më tej duke i anuluar plotësisht pagesat e mirëmbajtjes.
Vendimi i Parlamentit, i diktuar nga Kremlini për të miratuar stimujt për rekrutët pasoi demonstratat kundër mobilizimit që janë përhapur në të gjithë vendin. Ndërsa projektligji i Dumës ka të bëjë vetëm me kreditë individuale, bankat shtetërore janë ofruar të ndihmojnë pronarët e bizneseve të vogla dhe të mesme, të cilët janë rekrutuar, duke ua shtyrë shlyerjen e kredive për bizneset që kanë.
Por, kompanitë thonë se humbja e punonjësve të aftë, për arsye të mobilizimit ose largimeve jashtë vendit, iu dëmton bizneset, ndaj po kërkojnë që Qeveria ruse të bëjë përjashtime nga mobilizimi për stafet respektive.