Ukrainë, OKB-ja kërkon lirimin e shefit të centralit të Zaporizhjës!

vovalbania October 02, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Ukrainë, OKB-ja kërkon lirimin e shefit të centralit të Zaporizhjës!

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për mbikëqyrje bërthamore, bën thirrje për lirimin e drejtorit të centralit më të madh bërthamor të Ukrainës, për të cilin ka raportime se u rrëmbye nga një patrullë e ushtrisë ruse. Apeli i drejtorit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, Rafael Grossi erdhi pasi Ihor Murashov u ndalua teksa po udhëtonte nga centrali i Zaporizhjës për në qytetin Enerhodar. Enerhoatom, kompania shtetërore ukrainase që menaxhon centralin e Zaporizhjës njofton:

Murashov u nxor nga automjeti, iu mbyllën sytë dhe më pas u dërgua në drejtim të panjohur.

Në një postim në Twitter, Grossi shkruan:

Shpresoj që sa më shpejt, Murashov të kthehet pranë familjes, në mënyrë që të vazhdojë punën e tij të rëndësishme në central. Ndalimi i Murashovit ka ndikim të madh edhe për sigurinë bërthamore.

Nuk është e qartë arsyeja se përse Murashov u ndalua. Autoritetet ruse nuk kanë dhënë asnjë deklaratë sqaruese lidhur me këtë çështje.
Centrali i Zaporizhjës dhe zona përreth kontrollohen nga forcat ruse që nga muaji mars, ndërsa stafi ukrainas vazhdon punën. Reaktori i fundit u fik muajin e kaluar për shkak të bombardimeve të vazhdueshme pranë impiantit, çka ngriti shqetësimet për sigurinë.

Kievi zyrtar dhe Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore kanë paralajmëruar se mund të shkaktohet katastrofë mjedisore, si pasojë e luftimeve pranë centralit.

Rusia hedh poshtë duke mos pranuar asnjë thirrje ndërkombëtare për të krijuar një zonë të çmilitarizuar përreth centralit të Zaporizhjës. Muajin e kaluar, bordi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore miratoi një rezolutë, përmes së cilës iu bë thirrje Rusisë që t’i japë fund pushtimit të centralit dhe “menjëherë të ndalojë çdo veprim aty”, si dhe “ndaj çdo objekti bërthamor në Ukrainë”. Përfaqësuesit e Rusisë e të Kinës votuan kundër kësaj rezolute. Sot është dita e 221-të e luftës në Ukrainë, ku vazhdon kundërofensiva ukrainase e bombardimet nuk ndalen.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65799 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE