Ambasadorja Yuri Kim magjistratëve: Mos u dorëzoni kurrë!
Sot në ceremoninë e diplomimit të magjistratëve të rinj, në 25-vjetorin e Shkollës së Magjistraturës, ambasadorja amerikane Yuri Kim tha se “Reforma në Drejtësi po jep rezultatet e para” dhe iu bëri thirrje, të mos dorëzohen! Diplomatja e Uashingtonit në Tiranë theksoi se Reforma në Drejtësi duhet të ketë sukses për të mirën e shqiptarëve.
Trajnimi i gjyqtarëve e prokurorëve të kualifikuar dhe vetuar është një pjesë kritike e ofrimit të një sistemi drejtësie të besueshëm për popullin shqiptar. Ndërsa e bëni këtë, Shkolla e Magjistraturës do të ketë nevojë për ndryshime dhe të modernizohet, të mbajë hapin me kërkesat e Reformës në Drejtësi. Sfidat me të cilat po përballemi tani, janë të ndryshme nga sfidat me të cilat jemi përballur në të kaluarën. Shpresojmë që Shkolla e Magjistraturës do t’u përgjigjet nevojave të një sistemi drejtësie në ndryshim dhe në përmirësim, në këtë vend.
Ju sfidoj të jeni të guximshëm në bërjen e ndryshimeve në strukturën dhe praktikat tuaja për t’u përballur me ato sfida. Të gjithë ne duhet të përmirësohemi, qoftë nëse jemi individë, institucione, vende, ne duhet të ndryshojmë, të modernizohemi, të përshtatemi. Dhe vërtet shpresoj se Shkolla e Magjistraturës do ta bëje këtë. Ka shumë arsye për të qenë optimist për një të ardhme më të mirë, për këtë brez dhe brezat që vijnë. Ndërsa Shqipëria ndërmerr reformat e nevojshme për të zënë vendin e saj në BE.
SHBA-të do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë, ndërsa ajo ecën përpara në rrugën drejt integrimit euroatlantik dhe ofron një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët. Puna e Shkollës së Magjistraturës dhe e sektorit gjyqësor të Shqipërisë është thelbësore për këtë përpjekje.
Shpresoj të shiheni çdo mëngjes në pasqyrë, para se të shkoni në punë dhe t’i thoni vetes: unë do të jem pjesë e arsyes përse Shqipëria do të bëhet më e mirë.
Unë do të jem pjesë e arsyes që populli im të ketë shpresë, do të jem arsyeja pse familja ime dhe fëmijët e mi të jenë krenarë, unë do të jem pjesë e një Shqipërie me të mirë, për të gjithë ne. Dhe vërtet shpresoj se do ta bëni këtë. Ju përgëzoj! Kurrë mos u dorëzoni, mos u dorëzoni kurrë!