Berisha: Sistemi TIMS u sulmua nga hakera qeveritarë!
Kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaroi sot se nga sistemi MEMEX, i cili përbën kartotekën e punës 30-vjeçare të Policisë së Shtetit, janë publikuar 105 mijë emra shqiptarësh. Në një deklaratë për mediet, Berisha tha se “ky përbën një moment jashtëzakonisht të rrezikshëm për vendin”.
Denoncoj vendosjen nën kontroll të plotë nga krimi shtetëror të të gjitha të dhënave të këtij vendi, megjithë mohimet e papërgjegjshme të kreut të këtij shteti, që funksionon si një shtet i mafies.
Sot, nga sistemi MEMEX, i cili përbën kartotekën e punës 30-vjeçare të Policisë së Shtetit, janë publikuar 105 mijë emra shqiptarësh, të dyshuar, të hetuar nga policia për krime të llojeve nga më të ndryshmet. Nga sistemi janë ekspozuar emrat në mënyrë që të paralajmërohen të gjithë ata që janë në vëzhgim, janë në hetim, janë në shqyrtim për aktivitete të ndryshme kriminale.
Eshtë ky një moment jashtëzakonisht i rrezikshëm për vendin, një moment që dëshmon se çdo gjë në këtë shtet të mafias, ndodhet në duart e krimit.
Eshtë ky një moment, në të cilin Shqipëria bëhet vendi më i rrezikshëm në Ballkan dhe Europë, pasi paralajmëron kështu, kontigjentet e delikuenteve të saj se janë në ndjekje dhe mbikëqyrje policore dhe se ata për të shpëtuar, duhet të largohen.
Berisha shtoi se nga data 15 korrik deri më sot, nuk është marrë asnjë masë e vetme për mbrojtjen e sistemeve.
Unë informoj gjithashtu se nga data 15 korrik deri më sot, nuk është marrë asnjë masë e vetme për mbrojtjen e sistemeve. Të gjitha të tjerat, janë mashtrime. Sistemet janë në mëshirë të atyre që po i sulmojnë dhe po i shkatërrojnë. Natyrisht, sistemi TIMS, sipas burimeve serioze është sulmuar nga hakera qeveritarë, me qëllim për të zhdukur të gjitha gjurmët e lidhjeve të qeveritarëve, deputetëve, me grupet kriminale dhe trafikantët, udhëtimet e tyre të përbashkëta, të cilat janë një provë e pakontestueshme e bashkëpunimit të krimit me politikën.
Sipas kreut demokrat, “asnjë njeri nuk është ndaluar për sulmin kibernetik, sepse drejtësia është vegël e partisë-shtet”.
Unë e kam të qartë se hakera iranianë sulmuan portalin e-Albania dhe e besoj raportin e publikuar. Por, të dhënat faktojnë se ata nuk janë të vetmit. Sistemet digjitale të Shqipërisë u shkatërruan nga hakera rajonalë, europianë, por edhe strikt qeveritarë.
Imagjinoni për një moment, një proces që ka filluar në vitet 2017-2018, proces që u vazhdua me dorëzimin e të dhënave personale të 1 milion shqiptarëve te patronazhistët, proces që u vazhdua me publikimin e rrogave dhe targave.
A ka njeri sot në një proces të vetëm gjyqësor për gjithë këtë veprimtari, që ishte mirëfilltazi qeveritare? A ka një njeri të ndaluar, të arrestuar, për të gjithë këtë shembje të infrastrukturës digjitale të vendit? Asnjë njeri, sepse drejtësia është një vegël e partisë-shtet dhe zbaton vetëm urdhrat e saj.